MUSTAFA KRITIKON MARRËVESHJEN E BRUKSELIT, THOTË SE NGA KJO SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS NUK FITOJNË ASGJË

Bujanoc, 20 prill 2023. (Foto FB Ragmi Mustafa) – Marrëveshja e Brukselit, një dekadë pas nënshkrimit të saj, nuk u solli paqe, stabilitet dhe prosperitet shqiptarëve të Luginës së Preshevës, edhe pse ata konsideroheshin peng të mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, beson Ragmi Mustafa, kryetari Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve.
Sipas tij, “Shqiptarët në Luginë vazhdojnë të përballen me shtypje dhe diskriminim që i pengon ata të ushtrojnë të drejtat elementare të njeriut”.
“Liria, e përcaktuar si aftësi apo e drejtë për të vepruar, shprehur apo menduar pa pengesa apo kufizime, është diçka që u mohohet shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarët duan të kenë kontroll mbi fatin e tyre dhe kjo do të thotë t’i rezistojnë forcave despotike që duan të na nënshtrojnë e që vijnë nga kryeqyteti”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në FB.
Siç shton ai, pozita e shqiptarëve përfaqëson “formën primare të skllavërisë”:
“Presioni dhe diskriminimi me të cilin ballafaqohen shqiptarët në Luginë duhej të zgjidhej me Marrëveshjen e Brukselit, por kjo nuk ndodhi”, thotë Mustafa.
Megjithatë, siç shprehet ai, shqiptarët e Luginës do të marrin lirinë që u nevojitet për të realizuar plotësisht të drejtat e tyre si qytetarë, ku çdo individ ka të drejtën dhe mundësinë të veprojë, të flasë dhe të mendojë pa pengesa dhe kufizime, për të ndjekur qëllimet dhe aspiratat e tij pa ndrojtje.
Siç ka shkruar në disa raste Bujanovaçke, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi kanë kërkuar që të jenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.
Gjatë vizitës së tij në Bujanoc, ambasadori amerikan Christopher Hill tha për portalin tonë se kjo marrëveshje ka të bëjë ekskluzivisht me marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *