Bujanoc, 25 prill 2023. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur të hënën që të fillojë procedurën për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për pranim në atë organizatë. Kundër këtij propozimi votuan Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia, thanë për Tanjug në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.
Dritën jeshile e dhanë 33 vende, duke përfshirë nga rajoni Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Shqipëria.
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka 46 shtete anëtare dhe kërkesa e Prishtinës do t’i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.