PUBLIKOHEN REZULTATET E REGJISTRIMIT: PËRQINDJA E SERBËVE, SHQIPTARËVE DHE ROMËVE NË KOMUNËN E BUJANOCIT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 28 prill 2023. Sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit të vitit të kaluar, të cilat janë publikuar sot, komuna e Bujanocit ka 41.068 banorë, prej të cilëve 25.465 janë shqiptarë, 10.467 serbë dhe 3.532 romë. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Serbi është 61.687, pra gjysma më pak se vlerësimet e politikanëve vendas shqiptarë. Kjo pakicë kombëtare është e katërta më e madhe në Serbi, pas hungarezëve, boshnjakëve dhe romëve.
Shqiptarët në komunën e Bujanocit përbëjnë 62 për qind të popullsisë, ndërsa serbët 25,5 për qind.
Për hir të krahasimit, sipas regjistrimit të vitit 2002, ishin 54.7 për qind shqiptarë, 34.1 për qind serbë dhe 8.9 për qind romë.
Në qytetin e Bujanocit jetojnë gjithsej 11.468 banorë dhe shumica janë gjithashtu shqiptarë – 3.902, ndërsa 2.933 serbë. Fakti që romët jetojnë kryesisht në qytet do të thotë se serbët janë vetëm komuniteti i tretë më i madh në Bujanoc.
Fshatrat e Bujanocit kanë 29.600 banorë – 7.534 serbë dhe 21.563 shqiptarë. Fshatrat serbe kanë humbur rreth 25 për qind të banorëve të tyre në 20 vitet e fundit, për të cilat Bujanovaçke tashmë ka shkruar.
Në komunën e Preshevës, shqiptarët janë në shumicë të madhe dhe përbëjnë 93.6 për qind të popullsisë. Në këtë komunë jetojnë 31.340 shqiptarë nga gjithsej 33.449 banorë. Ka vetëm 1607 serbë ose 4.8 për qind dhe 219 romë.
Përveç Bujanocit dhe Preshevës, numri më i madh i shqiptarëve jetojnë në Medvegjë, 905.
Në Vranjë ka 19, në Nish 78 dhe në Beograd 851.
Pas shqiptarëve, serbëve dhe romëve, komuniteti më i madh në komunën e Bujanocit janë goranët – 87. Maqedonas janë deklaruar 16 qytetarë, 15 myslimanë, dy jugosllavë dhe një gjerman.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në dhjetor të vitit të kaluar, komuna e Bujanocit kishte 42,634 banorë, ndërsa në rezultatet përfundimtare të publikuara sot, kjo shifër është zvogëluar për 1,566.
Bujanovaçke më herët ka shkruar se dallimi në mes të numrit të përgjithshëm të regjistrimeve dhe numrit të banorëve “real”, sipas kritereve të ERS-së, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë arrin në rreth 40.000.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *