Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 2. maj 2023. Vendkalimet për këmbësorë në rrugën kryesore në Bujanoc, në lokacione jashtëzakonisht të frekuentuara afër shkollave, Shtëpisë së shëndetit, parkut të qytetit dhe kafeneve, janë zbehur sa që vështirë dallohen, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kjo i rrezikon të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, i cili është jashtëzakonisht i dendur në qytetin tonë. Këmbësorët mezi arrijnë të kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt për shkak të mospërshtatjes së shpejtë të shpejtësisë dhe mosndaljes së drejtuesve të automjeteve.
Prindërit e nxënësve apelojnë tek autoritetet që të shënojnë sa më shpejt vendkalimet pasi fëmijët nesër do të kthehen në shkollë.
– Nuk guxoj ta lë fëmijën të shkojë vetëm në shkollë, sepse nuk jam i sigurt nëse do ta kalojë rrugën i sigurt. Vozitja këtu është shumë e shpejtë dhe shpesh ndodh që shoferët të mos ndalojnë fare, sepse “zebrat” janë të padukshme – thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ekspertët paralajmërojnë rrezikun e madh që fshihet për shkak të sinjalistikës së pashënuar.
-Sinjalizimi horizontal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për orientimin e shoferit në rrugë. Vendkalimet e pamjaftueshme të këmbësorëve mund ta çojnë shoferin në një shkelje dhe në këtë mënyrë të vërë në rrezik veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës. Në kushtet e dukshmërisë së dobët (shi, borë, mjegull), ndriçimi dhe kontrasti i lartë i sinjalizimit horizontal mund të jetë faktor kyç për shoferin në zbulimin në kohë të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut dhe shmangien e aksidenteve të mundshme në trafik – thonë ekspertët e sigurisë në komunikacion.
Për shkak të ditëve jopune, këtë temë nuk kemi mundur ta diskutojmë me autoritetet në komunë, por pas pushimeve, Bujanovaçke do të mundohen të marrin përgjigje për këto pyetje.