KËSHILLI I AMBASADORËVE SHQIPTARË I SHKRUAN BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE, KAMBERI MIRËNJOHËS

Bujanoc, 3. maj 2023. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) u dërgoi një letër institucioneve ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA lidhur me pozitën dhe problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pas vizitës së zhvilluar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, tha deputeti Shaip Kamberi.

Në letrën e nënshkruar nga kryetari i KASH, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Besnik Mustafai, drejtuar Këshillit të Evropës – Komitetit të të Drejtave të Njeriut, kreut të OSBE-së, Komitetit të Helsinkit dhe Kongresit të SHBA-së, theksohen problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Në letër flitet edhe për përkushtimin e nevojshëm për përmirësimin e kësaj situate, tha Kamberi.

Ai thekson se sensibilizimi dhe ndërkombëtarizimi i pozitës së shqiptarëve në Serbi është prioritet i KASH-it, të cilit i është mirënjohës.

Përndryshe, KASH është një organizatë jofitimprurëse me qendër në Tiranë, e cila përbëhet kryesisht nga diplomatë karriere me synimin për të formësuar profesionalisht diplomacinë shqiptare në përputhje me standardet evropiane në këtë fushë, në emër të interesave të popullit shqiptar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të promovojë imazhin e diplomacisë shqiptare, Shqipërisë dhe popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në programin e organizatës.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *