TË SHTËNA NË SHKOLLËN “VLLADISLLAV RIBNIKAR”: TASH MOS PYETNI PSE

Bujanovaçke, 3. maj 2023.
Tani të marrim frymë thellë, t’i nderojmë të vdekurit dhe të tregojmë mëshirë për vrasësin. Ka kohë për të pyetur “pse”
Shkruan: Jovan Gligorijeviq, “Vreme”
Dita e sotme do të hyjë në histori si një nga më të tmerrshmet, edhe një ditë kur ndodhi diçka që nuk mund të merret me mend. Lajmi tashmë është është bërë i ditur për të gjithë: një nxënës katërmbëdhjetëvjeçar i shkollës fillore “Vlladisllav Ribnikar” ka hyrë në shkollë rreth orës tetë të mëngjesit, i armatosur me dy armë dhe ka vrarë rojen dhe tetë nxënës. Mësuesja dhe gjashtë fëmijë u plagosën dhe u transferuan në Qendrën e urgjencës dhe Klinikën e fëmijëve në Tirshova.
Në më pak se katër orë pasi ka ndodhur gjithçka, Ministria e brendshme e Serbisë ka dalë me informacion zyrtar për numrin e saktë të të vrarëve dhe të plagosurve. Megjithatë, kjo nuk i pengoi mediat të spekulonin, të ofertonin dhe të llomotisnin mbi numrin e të vrarëve gjatë atyre më pakë se katër orëve. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli (3 maj, pak para mesditës), ka ende prindër që nuk kanë mundur të kontaktojnë me fëmijët e tyre. Dhe akoma më keq: media dhe mbi të gjitha portali Nova.rs publikoi emrin dhe mbiemrin e plotë të djaloshit – sulmuesit të dyshuar, bashkë me një foto dhe detaje nga jeta e një personi i cili ligjërisht është ende fëmijë.
Në momentin që një shoqëri përballet për herë të parë me një ngjarje kaq traumatike, është normale që media të mos dijë ta përballojë. Por nuk duhet shumë inteligjencë për të kuptuar se tani nuk është as koha e as mundësia për sensacionizëm, etiketim, paraqitje të detajeve të paverifikuara. Një fëmijë dyshohet se ka vrarë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë. Edhe kur e shkruan këtë fjali dhe e shikon për disa minuta, është e vështirë të besosh se ka ndodhur vërtet këtu, te ne, pranë nesh…
Pse? Ne nuk do të marrim përgjigje për këtë pyetje. Gjëra të tilla dalin përtej kornizës që ne i konsiderojmë si normale dhe jonormale. Kjo është arsyeja pse ne përdorim fjalën “e paimagjinueshme”. Prandaj është e vështirë për ne të pajtohemi me faktin se nuk do ta kuptojmë kurrë pse ndodhi kjo.
Ajo që dimë me siguri është kjo: sipas informacioneve që kemi nga MPB-ja, një fëmijë ka vepruar sipas shembullit të masakrave në shkolla që janë dukuri e shpeshtë në SHBA. I njëjti fëmijë mori armën që i përkiste babait. Nëse mund të mendojmë për përgjegjësinë e dikujt në këtë pikë, atëherë pyetjet tona duhet të shkojnë në këtë drejtim: Pse fëmija kishte akses në armën e babait të tij, pse babai nuk e mbajti armën siç duhet – të çmontuar, të mbyllur, larg municioneve? Si di një katërmbëdhjetë vjeçar të montojë dhe të mbushë një armë, të ndërroj karikatorin?
Në ditët në vijim, ne do të bashkojmë vetëm mozaikun dhe do të kuptojmë ngadalë vetëm pjesë të asaj që ndodhi sot. Megjithatë, më në fund, të paktën një herë, si publik, si media, duhet të jemi të mençur dhe të zgjuar. Nuk duhet ta demonizojmë djalin, nuk duhet ta kthejmë në kriminel të ditës, nuk duhet të lejojmë që të bëhet viktima e dhjetë e sjelljes së tij. Nuk duhet të nxitojmë në përfundime, nuk duhet të pretendojmë se dimë ta diskutojmë këtë.
Nuk mundemi dhe nuk dimë si. Nuk është turp të mos dish. Ndodhi dhe tani duhet të mësojmë se çfarë të bëjmë me të. Rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë, ka situata ku mediat duhet të mbyllin gojën dhe të lënë ekspertët të flasin. Ai moment është tani.
Tani të marrim frymë thellë, t’i nderojmë të vdekurit dhe të tregojmë mëshirë për vrasësin dhe të heqim dorë nga përgjigjeja në pyetjen “pse”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *