KAMBERI: GJITHÇKA QË DO TË FITOJNË SERBËT NË KOSOVË, TA FITOJNË EDHE SHQIPTARËT NË SERBI

Bujanoc, 9. maj 2023. Deputeti popullor nga Bujanoci, Shaip Kamberi, përsëriti kërkesën që çdo e drejtë që kanë serbët në Kosovë t’u jepet edhe shqiptarëve në Serbi. Kamberi thotë se zgjidhja për Asociacionin e komunave serbe duhet të kërkohet në kuadër të asaj që e lejon kushtetuta e Kosovës.

“Nuk duhet të lejojmë ndërtimin e standardeve më të larta se ato që ka vetë BE-ja për minoritetet dhe është e papranueshme që standarde të tilla të zbatohen ekskluzivisht për një komunitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Kamberi për A2 CNN, raporton portali Reporteri.

Ai ka theksuar se pozita e shqiptarëve në Serbi është e njohur.

“Nevojitet reciprocitet dhe çdo e drejtë që i jepet serbëve duhet të jetë në simetri me të drejtat që i jipen komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”, tha Kamberi.

Sa i përket modelit kroat për pakicat kombëtare, të cilit Kurti iu referua në Bruksel, Kamberi shpjegoi se Serbia do të insistojë deri në fund që të nxjerrë diçka më shumë nga ajo që është bërë në Kroaci.

Sipas fjalëve të tij, Serbia dëshiron të ketë mekanizma të përhershëm me të cilët mund të kontrollojë stabilitetin në Kosovë.

Sipas Kamberit, zgjidhja duhet kërkuar vetëm në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që të mos ketë parime të veçanta për minoritetin serb.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *