Bujanoc, 10 maj 2023. (Foto screenshot RTS) – Ministrja e Shëndetësisë Danica Grujiçiq propozoi pezullimin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, Instagram dhe Tiktok për një muaj në Serbi, pas dy të shtënave masive javën e kaluar.
– Ndoshta është e nevojshme që për një muaj të ndalohen të gjitha: Facebook, Instagram, Tiktok dhe Twitter. Një muaj rinisje, le t’i kthehen disa aktiviteteve normale. Tiktok është në qendër të vëmendjes, as Twiter nuk është më ndryshe. Ju keni njerëz që janë të frustruar, të cilët e shfryjnë zhgënjimin e tyre në vend që të shkojnë te një psikolog dhe të kenë një bisedë të këndshme. Këtu është një ftesë për të rinjtë që të zgjedhin psikologjinë klinike, le të ndihmojmë vendin – tha Grujiçiq në TV Pink të martën.
Ajo tha se të hënën në Klinikën e Fëmijëve për Neuropsikiatri janë pranuar katër fëmijë, dy prej të cilëve kanë pasur idenë për të vrarë dikë dhe dy kanë dashur të vrasin veten, por kanë ardhur në këtë institucion shëndetësor për ndihmë profesionale dhe kanë kërkuar që të të shtrohen në spital.
– Mos dërgoni mesazhe urrejtjeje në rrjete. Ndoshta është koha për të ndaluar të gjitha ato rrjete në Serbi, të paktën për një kohë. Dikush do të thotë ‘ajo është radikale, kështu ka qenë gjithmonë’. Në mjekësi, nëse nuk ka hierarki dhe protokolle, humbasim pacientin dhe ne mjekët nuk e kemi atë luks – tha ministrja e Shëndetësisë.