Bujanoc, Prishtinë – 11 maj 2023. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, pas takimit të sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, ka thënë se kanë pasur një diskutim të rëndësishëm në lidhje me draft Statutin e Asociacionit të komunave serbe.
“Kam biseduar në detaje me kryeministrin se si e sheh Bashkimi Evropian procesin e hartimit të Statutit dhe besoj se kemi një marrëveshje për këtë proces. Ne kemi një marrëveshje, kemi një ankesë dhe kemi nevojë për ide të qarta për hapat e ardhshëm”, tha Lajçak, transmeton Kosova Online.
Ai theksoi se BE-ja e ka bërë të qartë se çdo model i AKS-së i bazuar në vlerat dhe parimet evropiane dhe modelet evropiane është i pranueshëm për ta.
“Ne e kemi thënë këtë që nga fillimi, ne jemi të qartë për këtë,” tha Lajçak.
Lajçak ka bërë të ditur se nesër do të jetë në Serbi për vizitë zyrtare, ndërsa të hënën në Bruksel do të takohet me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një mirëkuptim për hapat që do të ndërmarrim dhe kemi pasur një diskutim të rëndësishëm. Të njëjtën gjë do ta diskutoj nesër në Beograd dhe të hënën në Bruksel do të takohem me dy negociatorët kryesorë, Bislimi dhe Petkoviq. Të dyja palët duhet të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Lajçak.
I pyetur nëse situata në veri mund të bëhet më e rëndë, pas betimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, Lajçak tha se ka dy rrugë përpara: normalizimi apo konfrontimi dhe se kjo e fundit nuk është në interesin e askujt.
“Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim dhe duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, kështu që duam të shmangim çdo përshkallëzim, që nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.
Ai ndër të tjera ka theksuar se pasdite do të vizitojë veriun për t’u siguruar për situatën në terren.
“Unë po shkoj në veri, por jam i interesuar të flas me kryetarin e Mitrovicës – jug dhe të dëgjoj pikëpamjen e tij për situatën,” tha Lajçak.