SHTATË MATURANTË NGA PRESHEVA TË LËNDUAR LEHTË NË AKSIDENTIN E AUTOBUSIT ME NJË MAUNE

Bujanoc, 14. Maj 2023. (Foto KOHA) – Të shtunën, autobusi me maturantët e Shkollës së Mesme Teknike “Presheva” është përplasur me një kamion dhe një veturë në afërsi të Vragolisë, në magjistralen Prishtinë-Pejë. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur lehtë shtatë nxënës, të cilët pas ekzaminimit janë liruar në shtëpi.
Drejtori i shkollës Talat Arifi ka thënë mbrëmë se kompania, me të cilën është organizuar ekskursioni i matures, po dërgon një autobus për t’i sjellë nxënësit në shtëpi pas aksidentit të trafikut, njofton Klan Kosova.
“Kemi bërë pushim në një pikë karburanti dhe 10 minuta pasi jemi larguar ka ndodhur një aksident. Agjencia me të cilën organizuam ekskursionin dërgoi një autobus që do t’i kthej nxënësit në shtëpi”, tha Arifi.
Ai shtoi se fëmijët kanë qenë të shoqëruar nga një mjek dhe një infermiere të cilët kanë dhënë menjëherë ndihmën e parë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, mbrëmë vonë ka njoftuar se të gjithë maturantët kanë ardhur në shtëpi.
Drejtori i shërbimit të urgjencës në Qendrën Klinike Universitare, Naser Syla, më herët bëri të ditur se janë pranuar për mjekim 13 të lënduar, nga të cilët shtatë janë nxënës të cilët janë liruar të gjithë të shkojnë në shtëpi, pasi nuk kanë pasur lëndime të rënda.
Nxënësit po ktheheshin në Preshevë nga një ekskursion në Shqipëri.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *