ME MOTON “T’I RUAJMË FËMIJËT” U MBAJTË FASTIVALI I MINIBASKETIT NË BUJANOC (FOTO DHE VIDEO)

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 15. Maj 2023. – Shpresat e basketbollit nga i gjithë jugu I Serbisë dhe Maqedonia e Veriut treguan njohuritë dhe aftësitë e tyre në Festivalin e 11-të të Mini Basketbollit në Bujanoc të mbajtur të dielën, më 14 maj. “Të shpëtojmë fëmijët” ishte mesazhi që u dëgjua shumë herë në Pallatin e Sporteve “Rinia” në Bujanoc dhe i cili theksoi më shumë se kurrë në këto kohë të vështira se sa e rëndësishme është që fëmijët t’i drejtohen sportit dhe vlerave të vërteta.
Mbi 1000 basketbollistë të rinj nga 14 klube, të ndarë në 60 ekipe, erdhën nga Shkupi, Kumanova, Vranja, Gërdelica, Vllasotinca dhe Nishi për të treguar se basketbolli është zgjedhja e tyre e parë dhe e duhur. Bujanoci u përfaqësua nga dy klube – KB Elita dhe nikoqiri Play 017.
Në hapjen e vetë festivalit, përveç themeluesit dhe trajnerit të KB Play017 nga Bujanoci Nenad Stajiq, ishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i Shoqatës së Mini Basketbollit të Serbisë Rade Georgievski. Të pranishmëve iu drejtua edhe basketbollisti I njohur I Serbisë Igor Rakoçeviq. Në mesin e të ftuarve ishte edhe Nenad Mitroviq, deputet nga Bujanoci, i cili falënderoi organizatorin për organizimin e suksesshëm të këtij lloj manifestimi me vite të tëra.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se ishte nder dhe kënaqësi e madhe për të që të merrte pjesë në këtë manifestim dhe veçanërisht vlerësoi kontributin e Nenad Stajiqit për mbajtjen e festivalit, duke theksuar se Komuna e Bujanocit është gjithmonë me ta, sepse ata janë e ardhmja jo vetëm e Bujanocit, por edhe e gjithë rajonit.
Kryetari i Shoqatës së Mini Basketbollit të Serbisë, Rade Georgievski u shpreh shkurt:
– Të dashur fëmijë, rrini, luani dhe mbani mend se basketbolli është loja më e bukur – tha ai.
Igor Rakoçeviq, përveç që u uroi pjesëmarrësve të kalojnë mirë dhe të luajnë, iu referua tragjedive që goditën Serbinë në periudhën e kaluar dhe theksoi se të gjithë janë të obliguar t’i ndihmojnë fëmijët dhe t’i udhëzojnë në rrugën e duhur që të bëhen të mirë, njerëz të ndershëm dhe të nderuar.
-Mendoj se është e mrekullueshme që fëmijëve, prindërve dhe të gjithë sportdashësve u mundësohet një manifestim kaq i madh, për të dërguar një mesazh të fortë lidhur me promovimin e sportit, për largimin e plotë të dhunës nga çdo sferë e jetës, dhe më vjen mirë që jam pjesë e këtij aktiviteti – tha Rakoçeviq për Bujanovaçken.
Pas ceremonisë së hapjes, u ndanë medalje dhe certifikata mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit e festivalit dhe kupa për klubet.
Mateja Velkoviq, anëtar i KB Play017, i cili është 9 vjeç dhe ka një vit që merret me basketboll, tha për Bujanovaçke se i pëlqejnë shumë festivalet e basketbollit, se ky është i katërti në të cilin ai merr pjesë dhe se planifikon të vazhdojë të luajë basketboll edhe në të ardhmen.
-Kam një vit që stërvitem basketboll në KB MVP nga Shkupi, jam këtu për herë të parë dhe më pëlqen shumë. Tashmë kemi luajtur një lojë dhe kemi fituar – tregon për portalin tonë nëntë vjeçarja nga Shkupi, Jovana Jovanovska.
Dhjetë vjeçarja Iva Jovanoviq, pjesë e ekipit të KB Grdelica, ka dy vite që stërvitet me basketboll, vjen për herë të parë dhe nuk e fsheh emocionin për njohjen e miqve të rinj.
– Luajtëm me miqtë tanë nga Maqedonia dhe fituam, por humbëm me një nga ekipet tona, edhe pse kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që gjithçka është mirë dhe kalojmë mirë – thotë Iva për portalin tonë.
Sipas organizatorëve gjithçka ka shkuar mirë dhe të gjithë janë të kënaqur.
– Ndeshjet u zhvilluan në një atmosferë të vërtetë sportive. Fëmijët ishin të lumtur dhe kishin dëshirën të shfaqeshin para një sallë të mbushur plot me prindër, të afërm dhe miq. Ne nuk e masim rezultatin, të gjithë janë fitues dhe të gjithë shpërblehen – tregon për portalin tonë Nenad Stajiq, themelues dhe trajner i KB Play017.
Çdo vit, siç thotë ai, të gjithë e pranojnë me kënaqësi ftesën për të ardhur në festivalin në Bujanoc dhe të gjithë largohen plot mbresa pozitive me premtimin se do të vijnë edhe vitin e ardhshëm.
– Përveç Igor Rakoçeviqit, i cili është i lumtur se si shkoi gjithçka, entuziazmin nuk e fshehu as vajza e tij, e cila luante për skuadrën mikpritëse, e cila shkoi aq mirë sa nuk donte të shkonte fare në shtëpi – thotë Stajiq.
Sipas tij, festivale të tilla janë një mënyrë që fëmijët të largohen nga celularët dhe lojërat, të duan sportet që do t’i edukojnë dhe nuk do t’i lejojnë të devijojnë, sepse thjesht nuk do të kenë kohë të mendojnë për asgjë tjetër veçse basketbollit.
– Dua të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në mbajtjen e festivalit, para së gjithash komunën e Bujanocit, OSBE-në, Cafe Diverso, ART Group, portalin Bujanovaçke, vullnetarët dhe të gjithë të tjerët që kontribuan që ky festival të shkojë sa më mirë – shton Stajiq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *