Bujanoc, 17. maj 2023. Prokuroria Speciale në Prishtinë ka nisur hetimet për shkak të keqpërdorimit të dyshuar të 1.2 milionë eurove, që Qeveria e Kosovës ka ndarë për Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën të cilat janë shpërndarë përmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSh). Kallëzimin penal e ka parashtruar kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, në muajin shkurt
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Prokurorisë Speciale ka konfirmuar për portalin kosovar Insajderi se hetimet kanë filluar, por se janë ende në fazën fillestare.
“Prokuroria Speciale pas shqyrtimit të kallëzimit penal ka autorizuar menjëherë policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të mbledhjes së informacioneve për verifikimin e pretendimeve të bëra në kallëzim penal. Duke qenë se rasti është në fazën e hetimeve, nuk mund të japim më shumë informacion për momentin”, njoftoi prokuroria.
Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës i ka transferuar 1.2 milionë euro Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Pas konkursit për organizata joqeveritare dhe shoqata të tjera, Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit akuzoi presidentin e atëhershëm të KKSh-së, Ragmi Mustafa, deputetin Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani, ish-kryetaren e Preshevës, e tani këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për keqpërdorim të parave dhe korrupsion, përkatësisht se këto para ishin ndarë për njerëzit e afërt me ta dhe Partinë për Veprim Demokratik (PVD).