BUJANOCI KA NEVOJË PËR TREGUN E GJELBËRT, SHITËSIT PROPOZOJNË HAPËSIRËN TE GUMOPLASTIKA

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 18. maj 2023. Shitësit e pemëve dhe perimeve vendore të cilët i shesin produktet e tyre para postës së qytetit në Bujanoc, prej nga inspektorët komunal i dëbojnë me arsyetimin se është e ndaluar ekspozimi i mallrave në trotuar, zgjidhjen e shohin në hapjen e tregut të gjelbërt, dhe si lokacion i mirë për këtë qëllim sugjerojnë zonën përballë fabrikës Gumoplastika. Ky vend aktualisht përdoret si parking. Zyrtarë në administratën komunale thonë se do ta shqyrtojnë propozimin dhe do të shohin se çfarë mund të bëhet.
Lajmi në portalin tonë se inspektorët po i largojnë shitësit para postës dhe se nëse nuk lëvizin do të paguajnë gjobë prej 150 mijë dinarësh, bëri breshëri komentesh. Shumica e bashkëqytetarëve tanë komentuan se “është më e lehtë të godasësh fshatarin” dhe se “autoritetet duhet të merren me problemet e tjera në qytet dhe të lënë të qetë ata që përpiqen të jetojnë me punë të ndershme”.
Shitësit pajtohen se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje e përhershme dhe t’u sigurohet një vend ku ata mund të shesin pa pengesa mallrat e tyre.
– Një vend i mirë për tregun do të ishte hapësira përballë Gumoplastikës, e cila është e pashfrytëzuar dhe mund të vendoste pa problem pesëdhjetë tezga. Tani ka vetëm një grumbull plehrash dhe njerëzit e përdorin hapësirën për të parkuar, por mund të rregullohet bukur – thotë një shitës.
Kontaktuam me Administratën komunale dhe morëm premtimin se do ta shqyrtonin propozimin e shitësve për hapjen e tregut në zonën përballë Gumoplastikës.
– Ne duam të takojmë shitësit, por duhet të shohim me Drejtoratin për Investime dhe Zhvillim nëse një gjë e tillë është e mundur, përkatësisht nëse ajo hapësirë mund të shndërrohet në treg, nëse kemi nevojë për leje të veçanta etj. – na thanë në kabinetin e kryetarit të komunës.
Sipas tyre, asnjëherë nuk është lejuar shitja e mallrave në trotuar dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ata thonë se kanë një vullnet të mirë për të ndihmuar shitësit dhe do të shqyrtojnë propozimin e tyre.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *