PËRKUJTOHET DITA E GRAVE – VIKTIMA TË DHUNËS: INSTITUCIONET DUHET TË LËVIZIN

Bujanoc, 18. maj 2023. Në Ditën e përkujtimit të grave viktima të dhunës (18 maj), nisma “Mos vështro por reago!” u bën thirrje institucioneve që të vendosin urgjentisht orën e femicideve. Sipas FemPlatz, 18 gra janë vrarë në Serbi këtë vit (femicid) nga dhuna në familje dhe nga partneri.
Njoftimi “Mos vështro por reago” e transmetojmë të plotë.
Sot është 18 maji, Dita e përkujtimit të grave viktima të dhunës. Në Serbinë tonë ka shpërthyer dhuna. Edhe më tej vazhdojmë të ndjemë dhimbje e pikëllim për jetët e humbura të fëmijëve dhe të rinjve në masakrat e 3 dhe 4 majit. Sipas të dhënave të FemPlatz, që nga fillimi i këtij viti, 18 gra janë vrarë (femicid) nga dhuna në familje dhe nga partneri.
Këtë 18 maj kujtojmë të gjitha gratë e vrara dhe themi se askush nuk ka të drejtë të marrë një jetë!
Institucionet duhet të lëvizin. Duhet urgjentisht të krijohet një Organ monitorues i femicideve në mënyrë që të mund të monitorojmë në mënyrë sistematike vrasjen e grave dhe të identifikojmë problemet në sistem që duhet të rregullohen. Drita e kuqe e alarmit është ndezur prej kohësh. Nuk mund të presim më dhe të numërojmë gratë e vrarë. Konstatimet se dhunuesit po ikin nga policia, se nuk ka kontroll mbi masat e ndalimit, se gratë e vrara iu drejtuan institucioneve dhe mbetën të pambrojtura, se as vajzat nuk u kursyen, tregojnë se institucionet sot nuk janë në gjendje të mbrojnë jetët e grave. Ne si shoqëri ende nuk kemi krijuar zero tolerancë ndaj dhunës dhe një atmosferë mbështetjeje për viktimat.
Dhuna është rreth nesh. Këtë vit na shpërtheu direkt në fytyrat tona. Çdo grua e vrarë është nëna, motra, gjyshja, halla, shoqja e dikujt, jo vetëm një numër i radhës.
Prandaj i bëjmë thirrje burrave që t’i përgjigjen gjithmonë çdo forme dhune ndaj grave. Gratë kanë të njëjtat të drejta si ne dhe ato kanë të drejtë të jetojnë pa frikë dhe dhunë. Studime të ndryshme tregojnë se femicidi më së shpeshti ndodh si shprehje xhelozie ose për shkak të largimit të partneres. Xhelozia vret dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne meshkujt të mësojmë, në rast të prishjes së një marrëdhënieje emocionale ose largimit të një partnereje ose gruaje, të pranojmë me përgjegjësi dhe pa dhunë vendimin e tyre – që asnjëherë të mos i ofendojmë gratë, të mos i përndjekim e as t’i shqetësojmë, të mos i rrekemi dhunës e as të tentojmë t’i hakmerremi ose ta dëmtojmë në ndonjë mënyrë tjetër.
Ne burrat , të bashkuar rreth nismës “Mos vështro por reago!” u ngritëm kundër dhunës ndaj grave. Ne nuk mbyllim sytë para këtij problemi të madh social që shkatërron jetën e grave, shkatërron familjet dhe lë pasoja të përhershme në shoqëri.
Ju ftojmë të bashkoheni me ne dhe të jeni aleat në luftën kundër dhunës!
**
Personi kontaktues Milosh Gjajiq 063 578 36
Dita Kombëtare e përkujtimit të grave viktima të dhunës është vendosur në vitin 2017, me vendim të Qeverisë së Republikës së Serbisë në kujtim të 18 majit 2015, kur si pasojë e dhunës në familje në Serbi u vranë shtatë gra brenda 72 orëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *