Bujanoc, Prishtinë, 23. maj 2023. – Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion ndaj Serbisë që të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Bashkimi Evropian duhet t’i kërkojë Serbisë zgjidhjen e problemit të shqiptarëve gjatë procesit të integrimeve evropiane, edhe pse zyrtarët amerikanë janë më të përfshirë në këtë çështje sesa BE-ja, tha deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi në emisionin InfoNata në televizionin prishtinas TV 1.
Ai vlerëson se Serbia duhet të jetë nën presion nga faktori ndërkombëtar, por fokusi është arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë mbetet, sepse Serbia nuk tregon vullnet politik për zgjidhjen e këtyre problemeve. Mendoj se presioni ndërkombëtar në këtë fazë është më i fokusuar në arritjen e marrëveshjes me Kosovën, duke e konsideruar çështjen e Luginës së Preshevës si dytësore”, tha Kamberi.
Duke folur për rolin e Shqipërisë dhe Kosovës në zgjidhjen e këtij problemi, ai tha se Shqipëria mund të bëjë më shumë.
“Nuk shohim se përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë do të ndikojë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Besoj se Shqipëria do të mund të bëjë më shumë”, tha Kamberi.