LIDERËT SHQIPTARË NË BUJANOC DHE PRESHEVË ME SEANTORIN AMERIKAN: EDHE MË TUTJE JEMI NË AGJENDËN E SHBA-së

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25. maj 2023. Liderët politikë të shqiptarëve në Bujanoc dhe Preshevë janë takuar sot në Beograd me senatorin amerikan Gary Peters. Temat e diskutimit ishin diskriminimi i shqiptarëve, përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, pasivizimi i vendbanimit dhe nevoja për reciprocitet me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, thotë deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi.

Përveç Kamberit, me senatorin kanë biseduar edhe kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Ragmi Mustafa dhe kryetari i tanishëm, Nevzad Lutfiu.

Kamberi pas takimit tha se “Lugina e Preshevës mbetet në agjendën e Senatit Amerikan”.

“Kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të trajtuar çështjet kritike me të cilat përballen shqiptarët. Në fokus të veçant ishin, diskriminimi, përfaqësimi i pamjaftueshëm dhe nevoja për reciprocitet në të drejtat në raport me komunitetin serb në Kosovë. Theksova të gjitha sfidat dhe shqetësimet e komunitetit shqiptar, rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe sigurimin e pjesëmarrjes aktive në sferën politike dhe sociale. I shprehëm mirënjohjen tonë Senatorit Peters për mbështetjen dhe angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë për të gjithë”, tha Kamberi.

Siç tha ai, temë e rëndësishme e diskutimit ishte çështja e reciprocitetit, përkatësisht, siç thotë ai, nevoja për një qasje të balancuar dhe marrëveshje që do të trajtonin edhe aspiratat e shqiptarëve në Serbi, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“I jam mirënjohës Senatorit Gary Peters për mbështetjen e palëkundur dhe përkushtimin e sinqertë në zgjidhjen e sfidave me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës dhe më gjerë”, ka përfunduar deputeti nga Bujanoci.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *