NAGIP TASHI KËRKON MBËSHTETJE FINANCIARE PËR NDËRTIMIN E PARKUT NË TËRNOC

Shkruan: I. Jovanoviq

Bujanoc, 25. maj 2023. Nagip Tashi nga Tërnoci është në gjysmë të rrugës për realizimin e nismës së tij për ndërtimin e një parku në qendër të fshatit. Tashmë sipërfaqja në fjalë është pastruar nga mbeturinat, ndërsa tani ka nevojë për ndihmë financiare nga bashkëqytetarët për të gjelbëruar hapësirën dhe për të vendosur lodra për fëmijët pasi, siç thotë ai, nuk ka kapacitete financiare që ky projekt të kryhet nga të ardhurat që ka.

A po e vazhdojmë a pe lojmë kështu e po e mbushim edhe njëher me bërllog?? – pyet Tashi duke ftuar bashkëqytetarët që t’i bashkohen dhe të ndihmojnë në realizimin e aksionit deri në fund, në mënyrë që banorët e fshatit të kenë një vend për lojë dhe rekreacion.

Ai thotë se me pagën shtetërore prej 30 mijë dinarë nuk mund t’i mbulojë as nevojat e familjes.

– Dua të vazhdoj tutje, shpresoj që edhe më tutje ta kam të njëjtën mbështetje, morale e materiale, çfarë e kisha që nga momenti i parë. Vendasit më ndihmuan për të pastruar sipërfaqen, e cila dukej, fjalë për fjalë, si xhungël, tani duhet të rrafshohet, të gjelbërohet dhe të vendosen lodra për fëmijët – thotë Tashi.

Ai fton të gjithë ata që munden dhe duan ta ndihmojnë të telefonojnë në numrin 063/1612606.

– Këtë përpjekje e konsideroj sfidë dhe obligim për brezat që vijnë pas nesh, sepse është obligim ndaj tyre. Prandaj jam gati të marr përgjegjësi nëse më ofroni mbështetje financiare – thekson Tashi.

Kujtojmë se Tashi në mesin e muajit mars ka nisur një peticion për ndërtimin e parkut në fshatin Tërnoc, me të cilin ka mbledhur 517 nënshkrime dhe ka dorëzuar peticionin në Bashkësinë Lokale dhe Komunën e Bujanocit, ndërkohë në fillim të muajit maj ai filloi një fushatë pastrimi, për të cilën Bujanovačke kishte shkruar më parë.

Ai nuk ka marrë përgjigje nga Bashkësia Lokale e Tërnocit, ndërsa Komuna e Bujanocit, sipas tij, nuk mund dhe nuk dëshiron të përzihet, sepse toka që Tashi dëshiron ta shndërrojë në park nuk është pronë e tyre, por pronë e NP “Srbijavoda”.

– Në fund dua të shtoj se kam kandiduar për kryetar të Bashkësisë Lokale të Tërnocit dhe shpresoj se do të kem mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi – shton Tashi.

Tashi është punonjës i Shtëpisë së kulturës në Bujanoc dhe ky nuk është projekti i parë që ka filluar. Simboli me emrin e qytetit, i cili u vendos në sheshin në Bujanoc, ishte edhe ideja e tij, të cilën ai e realizoi me sukses.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *