Bujanoc, 29. maj 2023. (Foto MOD: ilustrim) – Qytetarët e jugut të Serbisë, në mesin e tyre edhe disa bujanocas, po marrin ftesa për stërvitje ushtarake dyjavore, mëson Bujanovaçke. Rekrutët supozojnë se arsye për këtë është ngritja e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë për shkak të ngjarjeve në veri të Kosovës.
Siç ka thënë për portalin tonë një rekrut ushtarak nga Bujanoci, i cili ka dashur të mbetet anonim, disa dhjetëra qytetarë të mobilizuar, duke përfshirë edhe atë, janë vendosur në Bazën “Jug” afër Bujanocit, ku përsërisin stërvitjen bazë ushtarake, përfshirë të shtënat me municion luftarak.
Bashkëbiseduesi ynë shton se aktualisht në bazë nuk ka shumë Bujanocas dhe se shumica janë nga Vranja.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten, më 26 maj ka urdhëruar ushtrinë, për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë dhe që nga ai moment Ushtria filloi aktivitetet e saj, tha ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq.
“Është urdhëruar një lëvizje urgjente drejt vijës administrative me Kosovën”, tha Vuçeviq për Pink TV.
Ky vendim pasoi ngjarjet në veri të Kosovës, kur pjesëtarët e Policisë Speciale të Kosovës kanë marrë ndërtesat e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe në Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan duke u përleshur me serbët e grumbulluar.
Në bazën “Jug”, në fund të muajit prill, përfundoi Kursi taktik ndërkombëtar i bashkëpunimit civil-ushtarak, i organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, me ç’rast pjesëmarrës ishin oficerë dhe nënoficerë të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – specialistë në fushën e bashkëpunimit civilo-ushtarak.
Siç kanë njoftuar nga Ushtria Serbe, kursi është realizuar me qëllim që t’u ofrohet trajnim shtesë për kryerjen e detyrave funksionale në operacionet paqeruajtëse.
Previous PostZGJEDHJET PËR BL: NË BUJANOC 22 KANDIDATË PËR 21 VENDE NË KËSHILLIN LOKAL
Next PostNUK KA MË KUFIZIME PËR ÇMIMIN E VAJIT