SHKOLLAT E BUJANOCIT: NUK KA MBYLLJE TË NOTAVE PA PËLQIMIN E PRINDËRVE, PËRMIRËSIMI I TYRE DERI MË 20 QERSHOR

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 7. qershor 2023. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Bujanocit nuk do të notohen pa pëlqimin e prindërve. Nxënësit e SHF “Branko Radiçeviq” do të kenë aktivitete shtesë dhe plotësues në shkollë deri të premten sipas orarit që vlente deri më 6 qershor, ndërsa nga e hëna mësimet do të organizohen sipas interesave dhe nevojave të fëmijëve. Në shkollën e mesme “Sveti Sava” mësimi plotësues dhe ai shtesë nis sot dhe do të zgjasë deri më 20 qershor.
-Mësimi deri të premten do të zhvillohet sipas orarit të përcaktuar, me synimin për të mbështetur fëmijët në pjesën edukative, pasi i gjithë viti mësimor dhe shkollor është ndërprerë në mënyrë të papritur dhe fëmijët tani kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e mësuesve të lëndës si dhe udhëzime se çfarë dhe si duhet bërë për të punuar nga e hëna për të përmirësuar notat e tyre. Prandaj ftohen të gjithë fëmijët që të ndjekin mësimin deri të premten – thotë për Bujanovaçke Maja Antiq Jovanov, ndihmësdrejtoreshë e shkollës fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc.
Nga e hëna, thotë ajo, aktivitetet do të përshtaten sipas interesave dhe nevojave të fëmijëve dhe do të zgjasin deri më 20 qershor.
I pyetur se çfarë thonë prindërit për situatën e re, Antiq Jovanov përgjigjet:
-Prindërit informohen për të gjitha vendimet e marra nga shkolla dhe për metodat e punës në periudhën në vijim. Disa prindër protestojnë pse fëmijët tani duhet të vijnë deri të premten, sepse në gazetë kanë parë që viti shkollor ka përfunduar të martën. Besoj se ka pasë një paqartësi, sepse më 6 qershor nuk mbaroi viti shkollor, por mbaroi mësimi, dhe fakti që u sugjerojmë nxënësve të vijnë sipas orarit të caktuar deri të premten është ekskluzivisht për të mirën e tyre.
Prindërit, thotë ajo, kanë të drejtë t’i lënë fëmijët në shtëpi, por duhet të kuptojnë se kjo është vetëm për të mirën e tyre, sepse mësimi është ndërprerë papritur dhe mësuesit janë gati të takojnë çdo fëmijë.
-Mësimet plotësuese dhe orët shtesë, ushtrimet, si dhe orët e bllokut fillojnë sot dhe do të mbahen deri më 20 qershor, ku do të vijnë nxënësit që nuk janë të kënaqur me notat e tyre dhe kjo do të jetë mundësia e tyre për t’u përgjigjur, sepse notat do të jenë të hapura në këtë periudhë – thotë Antiq Jovanov.
Në shkollën e mesme “Sveti Sava” sot nis mësimi plotësues dhe mësimi shtesë.
– Kujdestarët e klasave kanë marrë nga profesorët e lëndës propozimin e notave përfundimtare dhe ata këto propozime ua kanë përcjellur prindërve, në mënyrë që kur prindërit ta shohin dhe të bien dakord, së bashku me fëmijën e tyre, të fillojnë ose të përmbyllin notat ose të organizojnë mësim shtesë dhe plotësuese, varësisht nga nevoja – tha për portalin tonë drejtoresha e shkollës Svetlana Manasijeviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *