NDËRPRERJA E KUVENDIT DHE KRIZA QEVERISËSE, PASOJË E KONFLIKTIT PERSONAL MES ARIFIT DHE ZËVENDËSIT TË TIJ, MUSLIUT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9. qershor 2023. Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi sot ka humbur shumicën në Kuvend dhe seanca është ndërprerë pasi nuk u miratua Vendimi mbi llogarinë përfundimtare të komunës, për shkak të mungesës së votave të nevojshme. Rënia e pushtetit komunal, siç e karakterizoi ngjarjet e sotme si opozita serbe po ashtu edhe ajo shqiptare, u shkaktua nga katër këshilltarët e Lëvizjes për progres demokratik (LPD) Shqiprim Musliu, të cilët nuk dolën në seancë.
Ne u përpoqëm të mësojmë nga Arifi nëse kjo është rënia përfundimtare e koalicionit aktual qeverisës dhe cilat janë arsyet, por ai nuk ka dashur të flasë për këtë.
Sipas informacioneve jozyrtare, zëvendësi i tij Musliu ka mohuar mbështetjen e katër këshilltarëve të tij për shkak se drejtori i Komunalisë, Ruzhdi Halili, ka ngritur padi ndaj tij për shkak të borxhit të ujit në kafiterinë e tij, pronar jozyrtar i së cilës është Musliu. Halili është anëtar i partisë së Arifit, ndërsa borxhi i Musliut është më i madh se 250 mijë dinarë. Musliu dyshohet se ka kërkuar pranimin e punëtorëve të rinj në entet e drejtuara nga personeli i tij, gjë që Arifi e ka refuzuar.
Siç mësojmë, kryetari i komunës është hidhëruar aq shumë nga veprimet e Musliut, saqë në pushim të seancës i ka ofruar partisë opozitare, Alternativa për ndryshim, të hyjë në pushtet në vend të LPD-së dhe të marrë menjëherë postet e drejtorëve të njerëzve të Musliut në Shtëpinë e Kulturës dhe Organizatën Turistike, por Alternativa nuk e kishte pranuar këtë propozim.
Pas një tentative të pasuksesshme për vazhdimin e seancës pas pauzës, dhe për shkak të mungesës së kuorumit, kryetari i Kuvendit Enver Ramadani tha për portalin tonë se e gjithë kjo nuk do të thotë rënie e pushtetit komunal.
“Të gjitha këto pika të rendit të ditës, përfshirë edhe Vendimin mbi llogarinë përfundimtare, do të jenë në rendin e ditës të seancës së re që do ta caktojmë më vonë, ku do të shqyrtohen dhe do të ofrohen për miratim”, thotë Ramadani.
Mirëpo, për shefin e grupit të koalicionit rreth progrestëve, Nenad Mitroviq, nuk ka dyshim nëse Arifi ka mbetur pa shumicë.
-Sot qeveria aktuale shqiptare humbi shumicën dhe këtë e pamë gjatë votimit të vendimin mbi llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës. Pas kësaj ishte e qartë se do të kishte një ndërprerje dhe se nuk kishte shumicë për të vazhduar. Ky përfundim i seancës do të thotë se pushteti lokal nuk ekziston më. Nuk besoj se mund të sigurojnë sërish 21 këshilltarë – tha Mitroviq.
Ai theksoi se rrugëdalja nga kjo situatë mund të jenë zgjedhjet ose koalicioni i ri.
I pyetur nëse koalicioni rreth SNS mund të jetë pjesë e atij koalicioni të ri, Mitroviq tha se është shumë herët për të folur për këtë.
Deri më sot, shumica qeverisëse në Kuvendin e Bujanocit përbëhej nga Partia Demokratike (PD) e Arifit me 10 këshilltarë, 8 këshilltarë nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) të Shaip Kamberit dhe LPD e Musliut me 4 këshilltarë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *