Bujanoc, 23. qershor 2023. Protesta “Serbia kundër dhunës” do të mbahet edhe në Vranjë, të shtunën (24 qershor). Një grup qytetarësh të Vranjës njoftuan se nga ora 18 do të organizojnë një shëtitje proteste nëpër rrugët e qytetit.
Siç është paralajmëruar, vendi i takimit do të jetë në shëtitoren qendrore të qytetit pranë Shtëpisë së mallrave.
“Ne i bashkohemi qyteteve të shumta në Serbi në luftën kundër dhunës. Dhuna dhe urrejtja na serviren çdo ditë përmes mediave të regjimit, tabloideve, madje edhe nga foltorja e parlamentit. Modeli që na servirin vazhdon të përhapet në rrugë, në punë, në shkolla… Tragjeditë e majit kanë stërmbushur gotën! Jemi dëshmitarë se kjo gjendje në shoqëri është thjesht e paqëndrueshme”, thuhet në ftesë, transmeton Vranjenews.
Në proklamatë shtohet se “çfarë do të ndodhë varet nga qytetarët”.
“Ne jemi të sigurt se një numër i madh njerëzish do t’i bashkoheshin shëtitjeve në Beograd apo Nish, por ata nuk munden. Prandaj po organizojmë në Vranjë shëtitjen e parë protestuese kundër dhunës për t’i dhënë mundësinë të gjithëve të shprehin pakënaqësinë e tyre për situatën në vend. Askush nuk mund të na heqë lirinë dhe të drejtën e mendimit. E drejta për t’u rebeluar kundër devijimit në shoqëri është një detyrim i secilit prej nesh, nëse jo për hatrin tonë, atëherë për hir të fëmijëve. Ftojmë të gjithë njerëzit me mendim të lirë, veçanërisht të rinjtë, të bashkohen me ne në protestë. Prandaj kufomangërnës, hiena, tradhtarë, ustashë, balinjë, si na thërrasin, shihemi të shtunën”, thuhet në tekstin e firmosur nga Grupi i Qytetarëve të Vranjës.