NDRYSHIME NË POZITËN LIDERE TË BARNATORES, DREJTORI I DERITANISHËM NUK DËSHIRONTE RIEMËRIMIN

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 27. qershor 2023. (Foto Valbon Salihu) – Kuvendi të hënën ka emëruar Valbon Salihun nga Tërnoci – punonjës i këtij institucioni, për drejtor të ri të Entit të farmacisë në Bujanoc.

Salihu u emërua ushtrues detyre i drejtorit për 6 muaj, pas skadimit të mandatit ushtruesit të detyrës së deritanishëm të drejtorit Naser Asani, për shkak të skadimit të mandatit. Asani nuk ka dashur të emërohet sërish, për çka ka njoftuar Kuvendin.

Siç mësojmë, drejtori i ri është teknik farmaceutik, pra ka vetëm përgatitje të mesme profesionale.

Salihu ka thënë për portalin tonë se do të flasë për media kur të bëhet pranim – dorëzimi i detyrës. Me drejtorin e ri ka shumë tema për të biseduar, duke pasur parasysh se në Farmacinë në Bujanoc punëtorëve u vonohen pagat, furnizimi me barna është i dobët dhe vitin e kaluar enti e ka përfunduar me deficit prej 11 milionë dinarë, siç kishte thënë për portalin tonë drejtori i deritanishëm.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, Barnatorja i përket Partisë Demokratike të Nagip Arifit, por Salihu nuk është politikisht aktiv.

Këshilltarët e partisë opozitare Alternativa për ndryshim, të cilët përkrahën propozimin e mazhorancës qeverisëse që Salihu të drejtojë Farmacinë, vlerësuan se emërimi i tij nuk ishte politik.

Ndërmarrjet dhe institucionet tjera publike në Bujanoc vazhduan të udhëhiqen nga drejtorët e mëparshëm dhe të gjithë ata janë ende në detyrë në cilësinë e ushtruesit të detyrës.

Mandatet e reja gjashtëmujore iu dhanë Ruzhdi Halilit, kryetar i Autoritetit të përkohshëm që menaxhon NP Komunalia, Jetmir Ismailit në Shtëpinë e kulturës, Shuajb Nezirit në Organizatën turistike, sikur edhe Nehat Alihut që do të vazhdojë të udhëheqë QKS Rinia dhe Ekrem Xhemailit në Bibliotekën “14 nëntori”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *