PUSHTETI NË PRESHEVË E KA HUMBUR SHUMICËN, NË PRAG TË MASAVE TË PËRKOHËSHME

L
Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 5. korrik 2023. Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi dhe partia e tij Alternativa për Ndryshim kanë humbur shumicën në Kuvend dhe për këtë arsye ka dështuar seanca që është dashur të mbahej të martën.
Humbjen e mazhorancës e ka shkaktuar partneri i deritanishëm i koalicionit, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), i cili ka dy këshilltarë, por edhe një këshilltar i partisë në pushtet- Aternativa për ndryshim.
UDSH bëri të ditur se dy këshilltarët e saj po largohen nga shumica që kishin me këshilltarët e Alternativës (14) dhe Lëvizjes për Reforma (5), por më vonë një këshilltar nga kjo parti deklaroi se do të mbetet në qeverinë aktuale.
Bashkë me të, qeverisjen aktuale në kuvend tani e përkrahin gjithsej 19 këshilltarë, çka do të thotë se mungon edhe një votë për mbijetesë. Kuvendi i Preshevës përbëhet nga 38 këshilltarë.
Arifi dhe Alternativa kanë pak më shumë se një vit në pushtet, ndërsa menaxhimin e Preshevës e morën në mënyrë të ngjashme në prill të vitit të kaluar nga kryetarja e atëhershme Ardita Sinan,i nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe partnerët e saj në koalicionin Partia demokratike e shqiptarëve (PDSH) dhe UDSH.
Mbijetesën e Arifit në pushtet mund ta siguronte Partia Progresive Serbe (SNS), dy këshilltarët e së cilës mund të ishin bërë pjesë e shumicës në maj të vitit të kaluar, por marrëveshja dështoi në momentin e fundit, siç shkruante Bujanovačke.
Nëse Arifi në 20 ditët e ardhshme nuk siguron mbështetjen e të paktën një këshilltari, Kuvendi do të shpërndahet për shkak se nuk ka mbajtur seancë për më shumë se tre muaj dhe do të vendosen sërish masa të përkohshme në Preshevë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, si në vitin 2020 dhe 2017.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *