ARDITA SINANI: TRUPI KOORDINUES SI PLAÇKË PARTIAKE

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 3. korrik 2023. Zyrtarja e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) nga Presheva, Ardita Sinani, beson se emërimi i ministrit të Administratës shtetërore dhe vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, kryetar i Trupit Koordinues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është një tjetër dëshmi se Serbia është ende larg demokracisë. Për Sinanin, emërimi i progresistit loakl, Nenad Mitroviq, në postin e drejtorit të këtij institucioni shtetëror është tregues i degradimit ekstrem, në kundërshtim me Planin 7-pikësh për integrimin e shqiptarëve. Shteti, siç thotë ajo, po e trajton Trupin Koordinues si organ partiak, duke shkelur marrëveshjet e arritura.
– Shkurt, qeveria me kryeministrin dhe presidentin nga radhët e SNS-së zgjodhi një anëtar të SNS-së kryetar të Trupit Koordinues dhe një përfaqësues të bordit lokal të SNS-së si drejtor – ka thënë Sinani në një postim në Facebook. Përndryshe, Sinani është këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ajo theksoi se është detyrë e Trupit koordinues që të afirmojë të drejtat e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ndërsa Qeveria e Serbisë e trajton TK-në si organ partiak.
– Kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen për parimet e riorganizimit dhe rindërtimit të Trupit koordinues të vitit 2009, nënshkrues të së cilës janë Qeveria e Serbisë, përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe OSBE-ja. Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues parashikonte angazhimin e personelit të minoritetit shqiptar nga tri komunat e Luginës së Preshevës në sfera me rëndësi jetike në punën e këtij autoriteti – thotë Sinani.
Ajo vlerësoi se emërimet e Martinoviqit dhe Mitroviqit janë në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e vitit 2009, si dhe me rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë.
“Është paradoksale që shteti, SNS dhe Aleksandar Vuçiqi u bëjnë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa në anën tjetër refuzojnë çdo përfshirje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet shtetërore. Qëndrimet radikaliste të viteve ’90 janë të pashërueshme – përfundoi Sinani.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *