MITROVIQ: QË SERBËT, SHQIPTARËT E ROMËT TË JETOJNË SË BASHKU E JO PRANË NJËRI TJETRIT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 19 korrik 2023. – Kreu i progresistëve të Bujanocit, Nenad Mitroviq, në deklaratën e tij të parë për media, gjegjësisht portalit Bujanovaçke, si drejtor i ri i Shërbimit të Trupit Koordinues (TK) për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, theksoi se do të punojë në të mirë të të gjithë qytetarët që jetojnë në këto tri komuna. Ai bëri të ditur se do të mundohet që në Bujanoc të fillojë të respektohet sërish parimi 60:40, në mes të komunitetit shqiptar dhe atij serb, me rastin e ndarjes së parave për projekte infrastrukturore nga buxheti i TK-së. Mitroviq nuk ka dashur të komentojë thirrjet e zyrtarëve të Partisë shqiptare për veprim demokratik (PVD) se me emërimin e tij dhe të përparimtarit Aleksandër Martinoviq, TK u bë pre e SNS-së dhe se po imponohej një qeverisje paralele, por në vend të kësaj u bëri thirrje që të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve.
– Një nga prioritetet e mia do të jetë rivendosja e parimit 60:40 në Bujanoc, ai rregull i pashkruar sipas të cilit 60 për qind e mjeteve buxhetore shkojnë për komunitetin shqiptar dhe rom, dhe 40 për qind për komunitetin serb. Do t’i lus edhe kryetarët e Preshevës – në të cilën ka një numër të vogël të serbëve dhe Medvegjës – ku jetojnë pakë shqiptarë, pra do t’i kërkoj atyre që të balancojnë shpërndarjen e mjeteve dhe të përmbushin interesat e të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë – theksoi ai.
Siç thotë ai, prioriteti i tij është të bëjë gjithçka “që të mos jetojmë pranë njëri-tjetrit, por me njëri-tjetrin”. Kështu që diferencat që ekzistojnë të reduktohen në minimum.
Duke qenë se udhëheqjen e mëparshme e ka kritikuar më së shumti për mungesën e pranisë së tyre në teren, Mitroviqin e kemi pyetur se nga do ta udhëheq Shërbimin e TK-së. Ai u përgjigj se do të përpiqet të kalojë sa më shumë kohë në terren, në këto tri komuna.
– Sigurisht që do të mundohem të jem sa më shumë në teren, por selia e TK-së është në Beograd, kështu që një pjesë të javës do ta kaloj atje, për arsye teknike, në takime dhe kontakte të ndryshme. Mund të them se në Beograd do të jem vetëm kur të më kërkojnë detyrat, ndërsa shumicën e kohës do të jem në terren, në këto tri komuna – thotë Mitroviq.
Ai mban postin e u.d. së Drejtorit të Shërbimit të Trupit koordinues nga data 30 qershor. Për shkak të pozitës së re, ai duhej të hiqte dorë nga mandati i deputetit, për të cilin shkroi edhe Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *