ARIFI DHE MINISTRI GJERLEK NËNSHKRUAJNË KONTRATËN: 8.3 MILIONË DINARË PËR ROMËT E BUJANOCIT

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 20 korrik 2023. Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi dhe ministri për Zhvillim të balansuar rajonal, të enjten në Bujanoc kanë nënshkruar kontratë prej 8.3 milionë dinarë, e cila do të përdoret për asfaltimin e 11 rrugëve (1030 metra gjatësi) në lagjet e Bujanocit ku jetojnë romët.
-Përmirësimi i pozitës së romëve është çështje e rëndësishme për Qeverinë, prandaj ajo solli shumë dokumente të rëndësishme strategjike ndërsa në Bujanoc kishte nevojë të madhe në nivel lokal për investime sistematike në zhvillim. Prandaj erdhëm këtu për të zbatuar projektin e asfaltimit të 11 e më shumë seksioneve në lagjet ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë rome – thotë ministri Gjerlek.
Qëllimi i tyre, thotë ai, është që banorëve të këtyre lagjeve t’u sigurojnë një infrastrukturë rrugore moderne që do t’u mundësojë atyre të arrijnë më shpejt dhe më të sigurt në qendër të qytetit, shkollë, shtëpi të shëndetit dhe në të gjitha institucionet tjera të rëndësishme në Bujanoc.
– Në këtë mënyrë sigurojmë kushte të qeta për punën e ndërmarrjes publike, e cila deri më tani, për shkak të mungesës së infrastrukturës, nuk ka mundur të punojë plotësisht në grumbullimin e mbeturinave, prandaj në lokacione të caktuara janë formuar deponi të egra – thotë Gjerlek.
Në pyetjen e Bujanovaçkes nëse komuniteti rom në Bujanoc mund të presë ndihmë nga Ministria për zhvillim balansuar rajonal edhe rreth projektit për ndërtimin e një qendre kulturore, të cilin më herët e kishte paralajmëruar përfaqësuesi i romëve në Kuvendin e Bujanocit, Adem Salihi, ministry Gjerlek u përgjigj:
– Në disa komuna kemi rehabilituar qendra kulturore dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishme sepse infrastruktura nuk është e mjaftueshme që njerëzit të qëndrojnë në komunitetet e tyre, ju duhet t’u ofroni njerëzve përmbajtje kulturore dhe sportive. Kjo është arsyeja pse ne do të jemi më se të gatshëm ta ndihmojmë komunën e Bujanocit kur është fjala për ndërtimin apo renovimin e një qendre kulturore.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, është shprehur i nderuar dhe i kënaqur që ka pritur në kabinetin e tij ministrin Gjerlek dhe se me të ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 8.3 milionë dinarë.
-Kur është fjala për pozitën e romëve në Bujanoc, ne jemi e vetmja komunë në Serbi që kemi një pozicion të veçantë për Dekadën e Romëve, për të cilën janë ndarë 2 milionë dinarë. Krahas punës për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve, ne ndihmojmë edhe në sfera të tjera – thotë Arifi.
Në pyetjen e Bujanovaçkes se për çfarë do t’i shpenzojë komuna paratë e buxhetuara për asfaltimin e këtyre rrugëve, duke qenë se mjetet tanimë janë miratuar nga Ministria, Arifi përgjigjet:
– Ashtu është, ndërtimi i atyre rrugëve ishte paraparë në buxhet, sepse në të kundërtën nuk do të mund të aplikonim as në ministri, ndaj nuk do të mund ta fillonim as procedurën e prokurimit publik. Kur të bëjmë rishikimin e buxhetit, aq mjete sa na kanë mbetur do të planifikohen për projekte të tjera infrastrukturore.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *