Bujanoc, 14. gusht 2023. – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Prishtina e kontrollon me para Shaip Kamberin dhe se tashmë ka marrë nën krahun e saj Ragmi Mustafën, i cili është emëruar këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Këtë, si dhe vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë, që sipas Vuçiqit është promovim i “Shqipërisë së Madhe”, presidenti i Serbisë e ka vlerësuar shqetësuese.
“Këto janë gjëra shqetësuese, po të mos ishim për disa herë më të fortë ushtarakisht, në aspektin e teknologjisë, armëve dhe gjithçka tjetër, a e dini se sa herë Kurti do të kishte sulmuar çdo pjesë të Serbisë? Shikoni ideologjinë e tij, ai do të sulmonte jo vetëm Serbinë qendrore, por edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe pyetja është se çfarë do të ndodhte edhe me Shqipërinë”, tha Vuçiq.
Ragmi Mustafa është përgjigjur me një postim në FB:
“President i Serbisë, do të ishte mirë që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të ndalur diskriminimin, pasivizimit dhe gjuhën kriminalizuese ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe zbatimin e obligimeve ndërkombëtare që dalin nga tri marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të Luginës”, ka shkruar Mustafa.