OBujanoc, 17. gusht 2023. (Foto nga arkivi personal) – Aktorja Egzona Salihu (1992) nga Presheva, e cila u pushua nga puna në Shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” në atë qytet, në një intervistë për Bujanovaçken tha se është viktimë e mobingut dhe mendon se vendimi i drejtorit është politik. Ajo zyrtarisht u pushua nga puna pasi në qershor nuk u paraqit në punë për dy ditë për shkak se duhej të punonte në Kumanovë, për të cilën, siç thotë ajo, është njoftuar edhe drejtori dhe ka marrë ftesë për shfaqje.
Drejtori Kujtim Sadriu, ndërkaq, është anëtar i Alternativës për ndryshim të Kryetarit të Komunës, Shqiprim Arifi.
Ndonëse ka mbaruar Fakultetin e Arteve në Prishtinë në drejtimin për aktrim, ajo ka punuar në Preshevë me diplomë të shkollës së mesme sepse Serbia ende nuk i njeh diplomat e lëshuara në Kosovë. Deri më tani ajo ka punuar në shumë projekte në teatro të ndryshme, ka luajtur në filma dhe seriale.
– Besoj se pushimi im është i motivuar politikisht, por edhe për inatet personale të disave, thotë për Bujanovaçke Egzonadhe shton se drejtësinë do ta kërkojë në gjykatë.
Kjo aktore e re thotë se shpesh herë në këtë institucion ka qenë viktimë e mobingut në forma të ndryshme:
– Ka pasur raste të ndryshme, por tani po flas për rastin e fundit, pushimin nga puna. Është bërë një takim me të gjithë punëtorët, por unë nuk kam qenë e pranishme. Gjithashtu, tema e takimit lidhej me mua dhe është folur vetëm për mua. Kishte situata kur të gjithë përveç meje kishin të drejtën e mendimit të tyre në mbledhje. Mendimi im gjithmonë bllokohej dhe sa herë që thoja diçka më përgjigjeshin me “Futini këto fjalë në procesverbal” për të më ndëshkuar. Ka shumë raste të tilla.
Siç shpjegon për portalin tonë, ajo kishte justifikim për ato dy ditë mungese në punë.
– Për projektet e mia jashtë institucionit i kam informuar gjithmonë eprorët dhe kam marrë leje për to. Megjithatë, ata i përdorën ato data për të më larguar nga puna. Kam më shumë se pesë vjet që punoj në Teatrin e Preshevës dhe më shumë se një vit jam marrë me probleme të tilla, që kur ky njeri është emëruar në pozitën e drejtorit.
Siç shton ajo, skenën e artit në Luginën e Preshevës e orienton politika.
– Skena e artit është shumë e keqe për shkak të pengesave politike. Artistët e rinj kanë nevojë për hapësirë për t’u shprehur, por tek të rinjtë nuk ka interes për mënyrën se si na trajtojnë.
Sigurisht që duhet të ketë vend për artistët e rinj, por besoj se mungon dëshira për ta marrë seriozisht këtë profesion, për shkak të mënyrës se si trajtohemi.