KOMUNA: NUK ËSHTË TEJKALUAR AFATI I PËRFUNDIMIT TË PUNËVE NË SHF “B. RADIÇEVIQ”

Bujanoc, 18. gusht 2023. – Për shkak të shqetësimit të madhë të opinionit dhe komenteve të shumta gjykuese, portalin tonë e ka kontaktuar një zyrtar i lartë i komunës së Bujanocit i cili për Bujanovaçke ka thënë se afatet për rekonstruimin e shkollës fillore “B. Radiçeviq” nuk janë shkelur sepse afati i fundit për përfundimin e punimeve është fundi i janarit 2024.

– Njerëzit ndoshta e ngatërrojnë faktin që punimet kanë dy faza, me dy tendera të veçantë dhe kontraktorë të ndryshëm. Faza e parë e rikonstruimit ka përfunduar në kohë, është bërë edhe pranimi, por problemi ka lindur për shkak të vonesës në fazën e dytë. Kjo ka ndodhur për shkak se njëri nga ofertuesit ka kërkuar mbrojtjen e të drejtave të ofertuesit, thotë bashkëbiseduesi.

Faza e dytë përfshin rikonstruksionin e plotë të sallës për fiskulturë dhe oborrit (rregullimi i përdhesit) si dhe fasada e re. Aktualisht po punohet në instalimet elektrike të cilat ndodhen nën tokë përgjatë oborrit të shkollës, i cili tani është gërmuar për këtë arsye ndërkaq të hënën Komunalia do të dalë në terren për punime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

– Tenderi nuk është shpallur nga Komuna e Bujanocit, por nga ministria përkatëse, ne nuk kemi zgjedhur as kontraktues, kështu që nuk e dimë pse janë ndarë punimet në dy faza, ngase do të kishte qenë më e lehtë për të gjithë po të kishte vetëm një tender dhe një kontraktues – thotë bashkëbiseduesi nga komuna.

Siç shton ai, po bëhet gjithçka bashkë me ministrinë që fëmijët të kthehen sa më shpejt në shkollë, por siguria e fëmijëve është e para. Ai e pranon se kthimi i tyre më 1 shtator do të jetë i pamundur, por beson se do të ndodhë gjatë vjeshtës.

Punimet e fazës së parë financohen me donacion nga BE-ja, pra nga banka gjermane KWF, ndërsa fazën e dytë e ka siguruar shteti.

Presidenti i Serbisë, Alkesandar Vuçiq, në muajin mars në Bujanoc ka paralajmëruar rindërtimin e shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa bashkëbiseduesi nga komuna thotë se shkollat në Bilaç, Tërnoc dhe “Naim Frasherë” në Bujanoc janë në pritje të rinovimit, të cilat nuk mund të fillojnë para përfundimit të punimeve në ShF “B. Radiçeviq”.

Sipas drejtorit Nenad Tasiq, kjo shkollë në Bujanoc do të jetë ndër më të mirat dhe më modernet në Serbi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *