Bujanoc, Beograd, 4. shtator 2023. (Pjesëtarë të armatosur të grupeve kontrabanduese në veri të Serbisë. Foto: BIRN) – Lufta e bandave të kontrabandës, kryesisht nga Afganistani dhe Maroku, ka një vit që po shkakton ankth tek qytetarët në veri të Serbisë. BIRN zbulon se furnizuesit kryesorë të tyre me armë janë kriminelët shqiptarë nga Kosova, Serbia e jugut dhe Shqipëria.
Dëshmitë e mbledhura nga BIRN – duke përfshirë fotografitë, regjistrimet video/audio, korrespondencën mes kriminelëve, si dhe deklaratat e kontrabandistëve, agjentëve të BIA-s, informatorëve dhe bashkëpunëtorëve të policisë dhe BIA-s – tregojnë se bandat kriminale shqiptare janë furnizuesit kryesorë të armëve që gjenden në duar të kontrabandistëve në veri të Serbisë. Këta kriminelë më së shumti veprojnë nga Kosova, por edhe nga territori i jugut të Serbisë, e disa nga Shqipëria. Pas goditjes së kontrabandistëve në Horgosh, në nëntor të vitit 2022, policia serbe njoftoi se përveç armëve ka gjetur edhe kapele dhe shalle me shenjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kriminelët shqiptarë kanë më shumë se një dekadë që veprojnë në veri të Serbisë, kryesisht në Suboticë. Ata merren me kontrabandë të narkotikëve, armëve dhe njerëzve – kryesisht shqiptarë të Kosovës që nuk mund të hynin në BE për vite me radhë, por edhe turq dhe njerëz të nacionaliteteve të tjera.
Ata e shfrytëzuan rastin dhe u bënë një faktor i rëndësishëm për furnizimin me armë të bandave të kontrabandës së emigrantëve, duke marrë deri në 1700, 1800 euro për pushkë automatike dhe deri në 900 euro për pistoletë, pohon një informator i BIA-s.
Me kalimin e kohës, të shtënat po i afrohen zonave të banuara. Në nëntor të vitit të kaluar, në qendër të Horgoshit, gjashtë persona u plagosën në një konflikt mes kriminelëve marokenë dhe afganë. Një video e konfliktit, e cila tregon burra të armatosur duke vrapuar pranë shkollës fillore, ka shqetësuar vendasit. Vetëm në dy muajt e fundit, në qershor dhe korrik të këtij viti, nga përplasjet e grupeve të kontrabandës ka mbetur i vrarë një person dhe pesë janë plagosur.
Policia serbe nuk arriti t’i çarmatos plotësisht ndërsa arsenalet e armëve që posedojnë këto grupe nxorën në pah çështjen e origjinës së armëve.
BIRN ka gjithashtu regjistrime të thirrjeve dhe korrespondencës në WhatsApp midis kontrabandistëve afganë dhe një ndërmjetësi të policisë serbe, i cili u ofroi atyre imunitet dhe aktivitete të vazhdueshme në këmbim të dorëzimit të armëve. Marrëveshja nuk u realizua kurrë plotësisht ndërkohë që përleshjet vazhduan.
“Ata (kontrabandistët) janë të zgjuar,” thotë një kontrabandist, i cili kundërshton përdorimin e armëve. Ata i dorëzojnë policisë disa kallashnikovë dhe pistoleta ndërkohë që kanë në posedim edhe shumë të tjera. Dhe gjithnjë mund të blejnë edhe më shumë nga shqiptarët”.
Serbia është një vend kyç tranzit në të ashtuquajturën rrugë ballkanike, e cila përdoret nga shumë refugjatë dhe migrantë nga Azia dhe Afrika në përpjekje për të arritur në BE. Të motivuar nga fitime të mëdha, grupet e kontrabandës pushtuan territorin kryesisht në kufirin serb me Hungarinë.
Početna FILLIMI BIRN: KRIMINELË SHQIPTARË NGA JUGU I SERBISË DHE KOSOVA FURNIZOJNË ME ARMË GRUPET E KONTRABANDËS
BIRN: KRIMINELË SHQIPTARË NGA JUGU I SERBISË DHE KOSOVA FURNIZOJNË ME ARMË GRUPET E KONTRABANDËS
Bujanovačke4. Sep 2023.FILLIMI, KRONIKË0
Previous PostMARRËVESHJA E VASHINGTONIT TRI VITE MË VONË: VETËM FJALË NË LETËR
Next PostSINANI: NGA TË PUNËSUARIT NË INSTITUCIONET DHE NDËRMARRJET SHTETËRORE, VETËM 15 PËRQIND JANË SHQIPTARË