PARAJSA E BIXHOZIT NË TOKËN E ASKUJT

Bujanoc, 12. shtator 2023. Të paktën shtatë kazino janë ndërtuar në 12 muajt e fundit në të ashtuquajturin territor neutral ndërmjet dy fshatrave – Karaçevës në anën e Kosovës dhe Breznicës në anën serbe.
Sipas banorëve të asaj zone dhe zyrtarëve të komunës së Kamenicës dhe Bujanocit, këto kazino janë ndërtuar në zonën neutrale, sepse qytetarët e Kosovës mund t’i vizitojnë pa procedura kufitare, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Crystal, Comet, Flamingo, Las Vegas Casino, Star Club, Wild Casino, Casino Colosseum janë vetëm disa nga emrat e këtyre lokaleve.
Në to mund të luani kumar, të luani ruletë, poker dhe baste sportive.
Derisa gazetarët e Radios Evropa e Lirë (REL) më 4 shtator ishin në afërsi të këtyre lokaleve, aty u panë automjete të ndryshme, megjithëse policia e Kosovës ishte vendosur rreth 1.5 kilometra larg, në kodrën mbi Novosellë, ndërsa policia serbe qëndronte rreth 350 metra.distancë ajrore, në hyrje të fshatit Breznicë, në anën serbe.
Veturat që janë parë duke hyrë dhe dalë pa ndërhyrje kanë qenë kryesisht me targa “RKS” – Republika e Kosovës.
Prania, siç thonë ata, e një numri të madh të njerëzve që shkojnë në objekte për lojëra fati, i shqetëson vendasit si në anën kosovare ashtu edhe nga ajo serbe.
Një banor i zonës kufitare i cili jeton në anën e Kosovës tha për REL se pjesa ku janë ndërtuar objektet për këto lojëra është bërë e rrezikshme për t’u kaluar.
Ai ka kërkuar të mbetet anonim sepse, siç tha ai, familjarët e tij jetojnë në fshatrat e Bujanocit, ndaj ka frikë se mund të kenë probleme me pronarët e kazinosë dhe klientët e tyre.
“Është shumë e rrezikshme. Aty ka njerëz të rrezikshëm. Të gjithë [pronarët] janë nga Kosova, përveç njërit që është serb, i cili ka lidhje me shtetin [Serbinë]”, thotë ky banor lokal, por nuk jep detaje se në çfarë i bazon këto informacione.
Në komunën e Kamenicës thonë se kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të marrë masa për ndalimin e funksionimit të këtyre kazinove.
“Është problem për Komunën e Kamenicës, sepse funksionojnë në afërsi të komunës sonë, ngase janë në zonë neutrale. Është një biznes i ndaluar me ligj në vendin tonë dhe kemi ankesa të vazhdueshme nga qytetarët e kësaj zone”, tha për Radion Evropa e Lirë Lidiona Marovci, zëdhënëse e Komunës së Kamenicës.
Organizimi i lojërave të fatit në territorin e Kosovës është i ndaluar me ligj që nga marsi i vitit 2019.
Në Serbi lejohet organizimi i lojërave të fatit, ndërsa subjektet afariste që e ushtrojnë këtë veprimtari licencohen nga Ministria e financave në kuadër të Drejtorisë për lojëra të fatit.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje këtij institucioni nëse ndonjë nga kompanitë që operojnë në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka leje pune, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Në të njëjtën pyetje nuk është përgjigjur as Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Mirëpo, kryetari i Komunës së Bujanocit në Serbi, Nagip Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto kazino funksionojnë ilegalisht.
Sipas tij, këto biznese nuk kanë lejet e nevojshme të punës, përfshirë edhe lejet e ndërtimit.
“Është e vërtetë që janë ndërtuar disa kazino, por asnjëra prej tyre nuk ka licencë. Lejet e kazinove në Republikën e Serbisë jepen nga Ministria e financave, ndërsa lejet e ndërtimit jepen nga vetëqeverisja lokale. Por asnjëra nga këto kazino nuk ka leje ndërtimi, andaj i kemi alarmuar autoritetet republikane”, thotë Arifi.
Ai thotë se për ekzistimin e tyre ka njoftuar MPB-në e Serbisë dhe Ministrinë e financave, në kuadër të të cilave funksionon Drejtoria për lojërat e fatit.
“Organet shtetërore [të Republikës së Serbisë] nuk po marrin masa. Ata, natyrisht, e dinë interesin e tyre. Licencën për funksionimin e kazinosë e kanë llogaritur si interes shtetëror, sepse aty nuk ka vetëm kazino, por edhe vende të tjera të punës që me gjasë e rrezikojnë Republikën e Kosovës”, thotë Arifi, pa dhënë detaje se për cilat punë flet.
Vetëm pak ditë më parë, thotë ai, në Bujanoc u është mundësuar kyçja në rrjetin elektrik të këtyre objekteve.
Deri në fillim të shtatorit, këto biznese, për shkak të afërsisë me Kosovën, ishin kyçur ilegalisht në rrjetin energjetik të Kosovës, derisa Kompania kosovare e distribuimit të energjisë elektrike – KEDS nuk e realizoi shkyçjen.
Gjegjësisht, edhe pse punojnë në territorin e Serbisë, kabllot janë të lidhura me disa shtëpi rreth 50 metra larg territorit të Kosovës.
Të gjithë tekstin mund ta lexoni KËTU.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *