TAKIMI VUÇIQ – KURTI, MË 14 SHTATOR NË BRUKSEL

Bujanoc, 12. shtator 2023. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 14 shtator në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut politik të nivelit të lartë, ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Me këtë rast, Kurti ka biseduar me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton zyra e Kurtit, kryeministri i Kosovës ka diskutuar me të dërguarin amerikan për “rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes themelore dhe aneksit të saj”.
“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij që të angazhohet aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten në Bruksel”, thuhet në deklaratë.
Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.
Vuçiq dhe Kurti në fund të shkurtit e pranuan Marrëveshjen themelore për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian, ndërsa në mars u ra dakord për aneksin mbi zbatimin e saj.
Marrëveshja parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura mes dy palëve, por ajo ra në plan të dytë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, raporton REL.
Vendet perëndimore kërkuan një qetësim urgjent të situatës dhe që Prishtina dhe Beogradi t’i kthehen dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes.
Ndërkohë, Kosova ka përgatitur një udhëzim administrativ, i cili hap rrugën për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat me shumicë serbe në veri, me qëllim normalizimin e situatës në atë pjesë.
Takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel do të jetë i pari që nga shpërthimi i krizës në veri.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *