Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 21. shtator 2023. – Në Bujanoc po mbretëron një kërkesë e shtuar për qetësues, ashtu që një barnatore shet deri në 20 kuti të këtyre barnave me recetë në ditë, ndërkohë që ka edhe shumë bashkëqytetarë që kërkojnë qetësues pa recetë.
– Së fundmi pacientëve më shumë se kurrë po u përshkruhen qetësues, kryesisht Bromazepam, Xalol, Lorazepam dhe Bensedin. Përveç kësaj, ka shumë njerëz që vijnë dhe i kërkojnë këto barna pa recetë, por nuk na lejohet t’i shesim në atë mënyrë, i japim vetëm me recetë të mjekut – tha për portalin tonë një farmacist në një barnatore private në Bujanoc.
Përveç bujanocave, siç thotë ai, për të kërkuar Lorazepam vijnë edhe nga Maqedonia e Veriut, sepse thonë se për momentin atje nuk janë të disponueshëm.
– Përshtypja ime është se pothuajse çdo i treti që hyn në farmaci kërkon qetësues, nuk mendoj se ka qenë ndonjëherë kështu – shton bashkëbiseduesi ynë.
Në një tjetër farmaci private, situata është pothuajse e njëjtë.
-Ata marrin shumë qetësues, kryesisht Bromazepam dhe Bensedin. Ata që nuk kanë recetë, bëjnë justifikime të ndryshme për nevojën e këtij lloji të ilaçit, por ne nuk e japim në atë mënyrë. Nëse thonë se kanë probleme me gjumin, atëherë ne u ofrojmë diçka me origjinë bimore, në të kundërtën kërkojmë recetë, sepse nuk ka rrugë tjetër – thotë tjetër një farmacist.
Në barnatoren shtetërore në Bujanoc gjendja është krejtësisht ndryshe, sepse barnatorja është pothuajse bosh.
-Pacientët kërkojnë qetësues gjatë gjithë kohës, shumë prej tyre hyjnë në farmaci vetëm për këtë, por kemi një muaj që nuk kemi qetësues, kështu që nuk e di sa do të ishte konsumi i tyre ditor – thotë bashkëbiseduesi ynë nga barnatorja publike në Bujanoc.
Situata për qetësuesit është e njëjtë në të gjithë vendin. Vetëm vitin e kaluar qytetarët e Serbisë kanë pirë më shumë se shtatë milionë pako qetësues dhe antidepresivë që lëshohen me recetë të mjekut. Shumë njerëz shpesh i marrin këto ilaçe vetë.
Qetësuesit janë një grup agjentësh psikofarmakologjikë, të cilët kanë një efekt depresiv në SNQ, çojnë në uljen e vigjilencës dhe për rrjedhojë kanë një efekt qetësues psikologjik. Këto barna në doza më të mëdha kanë një efekt hipnotik, ndërsa në doza tepër të mëdha mund të kenë një efekt të dëmshëm.