ARIFI PREMTON SE ZJARRI NË DEPONI DO TË SHUHET GJATË DITËS, NË TË KUNDËRTËN PARALAJMËROHEN PROTESTA (VIDEO)

Bujanoc, 13. tetor 2023. – Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, të premten në mëngjes i premtoi kryetarit të Bashkësisë Lokale të Rakocit, Dejan Lubisavljeviq, se zjarri në deponinë do të shuhet gjatë ditës. Komuna do të financojë disa kamionë me rërë që do të përdoren për shuarjen e zjarrit, pasi shuarja e mëparshme me ujë nuk dha rezultat, por e përkeqësoi situatën.
Takimi është mbajtur paraditen e sotme ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të NP Komunalia, nën juridiksionin e së cilës është deponia e qytetit. Është diskutuar për shuarjen e zjarrit, por jo për çështjen kyçe – parandalimin e zjarrvënieve.
-Rëra dhe dheu duhet ta ndalin zjarrin, sepse fikja me uj vetëm sa e përkeqësoi situatën. Nga tymi i përhapur në Rakoc nuk shihet asgjë, nuk marrim frymë, prandaj kam kërkuar takim me kryetarin e Komunës, Arifi. Përveç nesh që jetojmë atje, janë të kërcënuara edhe fabrikat Heba dhe Bivoda, gjendja është katastrofike, njerëzit janë të dëshpëruar, kam marrë shumë telefonata që nga mëngjesi i sotëm – thotë Lubisavljeviq për portalin tonë.
Siç thotë ai, nëse situata me deponinë nuk zgjidhet sot, janë të gatshëm të marrin disa masa të tjera.
– Sonte kemi një takim me kryetarët e basjhkësive lokale të fshatrave përreth dhe nëse sot nuk riparohet deponia, jemi gati për masa më radikale. Ne do të përpiqemi ta zgjidhim problemin në mënyrë paqësore, kemi marrë një premtim të prerë nga kryetari i komunës, kështu që do të shohim. Njerëzit janë të indinjuar, janë të gatshëm të bllokojnë rrugën – shton Lubisavljeviq.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e Rakocit paralajmërojnë protesta dhe bllokada.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *