PAJAZITI: PUNËSIMI I KUADROVE PARTIAKE, PËR LIDERËT SHQIPTARË, MË I RËNDËSISHËM SE QYTETARËT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc 30. tetor 2023. Kryetari i degës së Alternativës për Ndryshim të Bujanocit, Arbër Pajaziti, thotë se kriza e fundit e pushtetit lokal në Bujanoc, për shkak të shpërndarjes së vendeve të punës në Administratën Komunale, ka treguar edhe një herë se treshja në pushtet Arifi – Kamberi – Musliu janë të interesuar vetëm të mbrojnë interesat e tyre personale dhe të partive që udhëheqin ndërsa qytetarët e komunës janë krejtësisht të parëndësishëm për ta.
“Edhe herën e fundit kur u vendos se cilët militantë partiakë do të punësoheshin në sektorin publik, pati një konflikt, sikur edhe tani. Tani kanë marrë miratimin e ministrisë për dhjetë vende pune për një periudhë të pacaktuar ndërsa problemi më i madh është si do t’i shpërndajnë – Arifi merr më shumë vende pune për vete, Musliu proteston dhe të tre kërkojnë respektimin e marrëveshjes së koalicionit ndërkohë që fajësojnë njëri-tjetrin për shkeljen e saj. Pikërisht për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes Alternativa u largua nga koalicioni në vitin 2021 ndërkaq këta vazhduan vetëm për interesa personale dhe partiake – tha sot për portalin tonë Pajaziti, partia e të cilit është në opozitë.
Bujanovaçke më herët ka shkruar se anëtarët e Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD) të udhëhequr nga Shqiprim Musliu, zëvendës i kryetarit të komunës, Nagip Arifi, javën e kaluar bojkotuan seancën e Këshillit komunal për shkak të shpërndarjes së vendeve të punës. LPD e akuzoi Arifin se me politikanët serbë ka rënë dakord fshehurazi për punësim.
Së shpejti ka ardhur një përgjigje nga Partia Demokratike (PD) e Arifit, nga e cila kanë thënë se në administratën komunale tashmë janë punësuar 10 shqiptarë dhe se do të punësohen edhe 10 të tjerë.
Është shprehur edhe Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberit, e cila është edhe pjesë e koalicionit qeverisës, e cila ka kërkuar ruajtjen e koalicionit shqiptar.
Konflikti i mëparshëm mes Musliut dhe Arifit është kapërcyer pasi kryetari i komunës i ka plotësuar kërkesat e zëvendësit të tij.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *