PAJAZITI: SHQIPTARËT NË NJË LISTË ZGJEDHORE E DOMOSDOSHME, E PAPRANUESHME QË KAMBERI TË JETË LIDER I SAJ

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 1. nëntor 2023. Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor mirëpo dilemma është nëse shqiptarët do të kenë një listë të vetme zgjedhore apo rrezikojnë të mbeten pa ulëse në Kuvendin e Serbisë. Arbër Pajaziti, kryetar i këshillit lokal të Alternativës për Ndryshim Bujanocit dhe nënkryetar i kësaj partie, një nga partitë më të mëdha që tubon shqiptarët, në një prononcim për portalin tonë ka theksuar se është shumë e nevojshme një listë e përbashkët për t’i siguruar popullatës shqiptare nga jugu i Serbisë një ose më shumë vende përfaqësuese në parlament. Për Alternativën, megjithatë, është e papranueshme që Shaip Kamberi, kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) të jetë sërish bartës i listës shqiptare.

Pajaziti thotë se Alternativa do të vazhdojë të insistojë në respektimin e parimeve të dakorduara në vitin 2020, kur shqiptarët dolën në zgjedhje me një listë të vetme të kryesuar pikërisht nga Kamberi.

– Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PVD-ja nuk ka dashur të dëgjojë për ato parime, gjegjësisht që partia me më së shumti këshilltarë në Kuvendet e Bujanocit dhe Preshevës të jetë partia që kryeson listën, e që si atëherë e po ashtu edhe tani, kjo parti është Alternativë. Prandaj kemi pasur dy lista, kështu që nga tre mandate parlamentare në zgjedhjet e 2020 kemi kaluar në vetëm një, i cila mezi u fitua – thotë Pajaziti.

Ai theksoi se faktori politik shqiptar nuk duhet të përsërisë gabimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Siç tha ai, Alternativa është e gatshme të mbështesë plotësisht edhe figura të pavarura, jopartiake si kandidatë për deputetë, për të kapërcyer konfliktin dhe mosmarrëveshjen me PVD-në.

– Nuk do të na shqetësonte nëse në listën e vetme do të kishte figura jopartiake që në Kuvendin e Serbisë do të luftonin realisht për interesat e të gjithë shqiptarëve, ose që kryesuesi i listës të ishte një figurë jopartiake, si një kompromis dhe e rëndësishme për të gjithë. Andaj, Shqiprim Arifi si kryetar i partisë sonë nuk ka pse të jetë bartës, por as Shaip Kamberi – sugjeroi Pajaziti.

Njohësit e situatës politike në Bujanoc dhe Preshevë thonë se arritja e marrëveshjes për një listë të vetme të shqiptarëve është në sferën e fantashkencës pikërisht për shkak të intolerancës së dy partive më të mëdha – PVD-së dhe Alternativës.

Kundërshtarët kryesorë të skenës politike shqiptare në jug të Serbisë kanë kohë që akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion, keqpërdorime dhe tradhti ndaj interesave kombëtare andaj edhe është vërtet e vështirë t’i imagjinosh së bashku, të themi në një fushatë elektorale.

Ndonëse në vitin 2020 asgjë nuk ishte ndryshe, por pas ndërhyrjes së Tiranës zyrtare, u arrit marrëveshja për një listë të përbashkët zgjedhore të të gjitha partive.

Lista “Lugina e bashkuar” mori 26437 vota në zgjedhje dhe fitoi me lehtësi tre mandate parlamentare.

Mirëpo, dy vjet më vonë, shqiptarët hynë në zgjedhjet parlamentare me dy lista për shkak të konfliktit të Alternativës dhe PVD-së për bartësin e listës, për të cilin Bujanovaçke shkroi disa herë, gjë që rezultoi në debakël. Të dyja listat morën gjithsej 13300 vota. Alternativa mbetet shumë poshtë pragut ndërkaq lista e udhëhequr nga Kamberi fitoi një mandat deputeti vetëm pas katër përsëritjeve të votimit në një njësi zgjedhore në Tërnoc.

Ditëve në vijim do Bujanovaçke do të shkruaj edhe për qëndrimin e Partisë për Veprim Demokratik lidhur me performancën e bashkuar të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare, tashmë të shpallura.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *