SHTËPIA E SHËNDETIT PUNËSON NË KOHË TË PACAKTUAR PUNONJËSIT E ANGAZHUAR GJATË PANDEMISË, DREJTORESHA NUK DEKLAROHET NËSE KA EDHE KANDIDATË MBI BAZË PARTIAKE

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 16. nëntor 2023. – Rreth 50 punonjës shëndetësorë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët kanë punuar në Shtëpinë e shëndetit të Bujanocit gjatë pandemisë së Covid-it, do të marrin vendime pune në kohë të pacaktuar – tha për Bujanovaçke drejtoresha e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc, Dr. Daliborka Pavloviq. Mirëpo, Bujanovaçke ka zbuluar se drejtoresha ka punësuar në kohë të pacaktuar së paku dy punonjës të cilët nuk kanë punuar gjatë pandemisë së Covid-it, por janë punësuar përkohësisht për shkak të “vëllimit të shtuar të punës lidhur me riakreditimin e institucionit” në shtator të vitit të kaluar.
Foto: Dr Daliborka Pavloviq
E pyetur nga portali ynë nëse është i saktë informacioni se aktvendime në kohë të pacaktuar do të marrin edhe dy punonjës nga stafi jomjekësor e që nuk kanë qenë të angazhuar gjatë periudhës së Covid-19, drejtoresha nuk ka dashur të japë një përgjigje të saktë, por si zakonisht e akuzoi Bujanovaçken si medium dashakeqës.
“Kemi pasur takime në Qeverinë e Republikës së Serbisë dhe pas kësaj qëndron Konkluzioni i Qeverisë së Republikës së Serbisë, kështu që të gjitha pyetjet tuaja të pahijshme dhe dashakeqe në këtë rast janë pa përgjigje nga ana ime. Këta janë njerëz që kanë punuar gjatë Covid-it – thotë Pavlloviq, duke na akuzuar se “qëllimi ynë është të krijojmë sensacionizëm”.
Siç thotë ajo, lufton si luan për institucionin dhe të rinjtë në komunën tonë, dhe fakti që disa individë nuk janë në listë “nuk është faji i saj”.
– Në komunën e Bujanocit mbesin rreth pesëdhjetë familje dhe për këtë do të punojë kopshti, sepse fëmijët e dikujt do të shkojnë në çerdhe, shkolla do të punojë, sepse profesorët do të kenë kë t’i mbajë mësimet, do të ketë më shumë njerëz në rrugët tona, do të kemi dikë që të sigurojë kujdes shëndetësor. Para se ta prsanonim këtë shkresë dhe pëlqimin, kemi pasur takime dhe marrëveshje, ka tabela sipas të cilave ne veprojmë – tha drejtoresha, pa u përgjigjur nëse ka rekrutime partiake. Ajo shtoi se nuk bën deklarata për individë dhe se pas saj qëndron Konkluzioni i Qeverisë së Republikës së Serbisë.
Ajo akuzoi portalin tonë se po e prezentojmë në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa pas saj qëndrojnë rezultatet.
Kryetari i Sindikatës së Mjekëve dhe Farmacistëve në Shtëpinë e Shëndetit të Bujanocit, Dr. Dejan Stojanoviq, thotë për portalin tonë se nuk është i njohur me detajet se sa mjekë, infermierë dhe punëtorë jomjekësorë do të punësohen, por përkrah idenë e punësimit të të gjithë atyre që kanë punuar gjatë Covid-it.
– Qëndrimi i sindikatës dhe qëndrimi im është që ne mbështesim punësimin, veçanërisht në këtë kohë kur është e vështirë të gjesh punë – thotë Dr. Stojanoviq i pyetur nëse është në dijeni të faktit se ka edhe nga ata që nuk ka punuar gjatë Covid-it, ndërsa do të punësohen në kohë të pacaktuar, ai thotë se nuk e ka atë informacion.
Kujtojmë se Qeveria e Republikës së Serbisë në seancën e mbajtur dy ditë më parë (14 nëntor) e miratoi Konkluzionin me të cilin pajtohet për punësimin në kohë të pacaktuar të punëtorëve shëndetësorë, bashkëpunëtorëve dhe personave të tjerë që kanë punuar në trajtimin e pacientëve me sëmundjen infektive COVID-19 ose në mbështetje të punëve teknike në institucionet shëndetësore publike dhe objektet e përkohshme për akomodimin dhe trajtimin e personave që vuajnë nga kjo sëmundje infektive. Institucionet shëndetësore kishin afat deri më 15 shtator për të dorëzuar këto të dhëna në Ministrinë e Shëndetësisë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *