PREZENTOHET NË BUJNAOC RAPORTI MBI PASIVIZIMIN: PËR DHJETË VITE JANË PASIVIZUAR SË PAKU 4.000 ADRESA TË SHQIPTARËVE

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 30 nëntor 2023. Në tribunën e së enjtes të mbajtur në Shtëpinë e kulturës në Bujanoc u prezantua Raporti i Nisma e të rinjëve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR) me temën “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese” i përpiluar pas hulumtimit të bërë në teren nga kjo organizatë. Hulumtimi ka treguar se për 10 vitet e fundit në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, MPB-ja e Serbisë ka pasivizuar adresat e të paktën 4000 shqiptarëve.
Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Shpërfaqja e praktikave diskriminuese në Luginën e Preshevës”, i cili është realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut së bashku me Këshillin për të Drejtat e Njeriut nga Bujanoci, me mbështetjen e Fondacionit Rockefeller nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në panel folën kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Belgzim Kamberi dhe juristi Fadil Aliti, të cilët theksuan problemet që lindin për shkak të pasivizimit të adresave, si dhe një nga hulumtuesit e Nismës së të rinjëve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR) , Marko Milosavleviq, i cili edhe i prezantoi rezultatet e hulumtimit.
Sipas Millosavleviqit, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka kryer hulumtime në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në periudhën nga korriku deri në shtator të vitit 2023, me qëllim të hetimit të praktikave diskriminuese lidhur me keqpërdorimin e Ligjit për Vendbanim dhe Vendqëndrimin e qytetarëve nga viti 2011 , duke u ndalur veçanërisht në pasivizimin e adresave të qytetarëve të pakicës shqiptare.
Ekipi hulumtues, siç u tha, ka realizuar intervista me gjithsej 47 qytetarë dhe përfaqësues të akterëve politikë, përfshirë përfaqësues të komunës së Bujanocit dhe Preshevës, si dhe përfaqësues të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për tri komuna në jugin e Serbisë.
Në bazë të atyre bisedave, por edhe në vështrimin e aktvendimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për pasivizimin e adresave, si dhe në bazë të të dhënave për ndryshimet në listat e votuesve, ata arritën në përfundimin se ndërmjet vitit 2012 dhe 2022, në kundërshtim me Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrimin, i cili kërkon që çdo qytetar i Serbisë të ketë të drejtën e një adrese, MPB-ja në mënyrë pasivizoi adresat e pothuajse 4000 shqiptarëve.
“Rreth 70 për qind e atyre me të cilët kemi biseduar nuk kanë aktvendime për pasivimin dhe 80 për qind e tyre janë fshirë nga lista e votuesve”, tha Millosavleviq.
Siç thuhet në Raport, numri i qytetarëve të pasivuar të tri komunave në jug të Serbisë, sipas përgjigjeve të dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, në gusht të vitit 2023, në Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, është 1.595 për Medvegjën, 880 për Bujanocin dhe 430 për Peshevën.
Sipas raportit, popullsia e shtetasve të pakicës kombëtare shqiptare, adresa e të cilëve është pasivuar arbitrarisht, mund të klasifikohet në katër grupe, përkatësisht: individë që herë pas here punojnë jashtë vendit ose kanë marrë pension jashtë vendit (këta janë kryesisht ata që shkojnë në Vendet e Evropës Perëndimore për një Punë tre mujore); ata që punojnë në Kosovë; studentët që studiojnë në Kosovë dhe qytetarë apo veprimtarë të Luginës së Preshevës të angazhuar politikisht.
“Numri më i madh i bashkëbiseduesve tanë asnjëherë nuk kanë marrë aktvendim zyrtar për pasivimin e adresës dhe për këtë fakt janë njoftuar më vonë dhe gojarisht. Ka shembuj të ndryshëm ndërsa për pasivizimin e adresës qytetarët e kanë marrë vesh kur kanë shkuar për të marrë letërnjoftime të reja, për të zgjatur vlefshmërinë e pasaportave, për të regjistruar vetura, kur kanë dalë për të votuar e të ngjashme. Më pas ata do të merrnin njoftime verbale nga zyrtarët e policisë se ata “nuk ishin në sistem”, thuhet në këtë raport.
Më tej thuhet se një numër dukshëm më i vogël i të anketuarve kanë deklaruar se u janë dorëzuar aktvendimet për pasivizimin ose se kanë marrë ftesa nga policia për të dhënë deklaratë për vendbanimin e tyre.
Një problem tjetër që, siç u tha, paraqitet gjatë dorëzimit të këtij dokumenti, reflektohet në faktin se aktvendimet janë të shkruara ekskluzivisht në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik, dhe gjithashtu shumica e të anketuarve nuk e kanë ditur se kanë të drejtë ankese në lidhje me procesin e pasivimit të adresës.
“Gjatë hulumtimit kemi evidentuar raste dhe arsye të ndryshme për të cilat adresat e të anketuarve janë pasivizuar. Grupi i parë përbëhet nga ata që nuk kanë respektuar procedurën e aplikimit për qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, nëse kanë qëndruar atje për më shumë se 90 ditë. Përveç kësaj, ekziston një grup i madh i të anketuarve, adresa e të cilëve është pasivizuar pa një shpjegim të qartë dhe të cilët nuk janë larguar nga vendbanimet e tyre të regjistruara. Shumica e të anketuarve pajtohen se kjo është një çështje e manipulimit politik”, thuhet në raportin e hulumtimit.
Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar të dhëna nga autoritetet policore për numrin e qytetarëve të pasivuar për të gjitha komunat në Serbi nga viti 2012 deri në qershor 2023, por MPB-ja, megjithatë, nuk u ka ofruar atyre të dhëna për komunën e Medvegjës për periudhën prej 2020 deri më 1 qershor në 2023. YIHR ka arritur numrin prej 4174 qytetarëve të pasivuar, në bazë të të dhënave të Drejtorisë policore të Leskocit, dokument ky i dërguar kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Megjithatë, rezultatet e hulumtimit tregojnë se të dhënat e sakta për qytetarët e pasivizuar dhe strukturën demografike të këtyre individëve nuk janë të disponueshme për askënd. Të gjithë këta aktorë kryesisht diponojnë të dhëna joformale dhe shifra të përafërta, kështu që mund të shihet një diapazon prej 6000 deri në 8000 qytetarë të pasivuar në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
Gjatë vizitave në terren në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ekipi hulumtues ka targetuar disa praktika të tjera potencialisht diskriminuese, përkatësisht: Ndalimi i shtetasve të nacionalitetit shqiptar në pikat kufitare me Kosovën; Ndalimi i shfaqjes së filmave në gjuhën shqipe; Mosnjohja e diplomave të arsimit të lartë të marra në Kosovë; Mospërfaqësimi i shtetasve me kombësi shqiptare në institucionet shtetërore.
Pretendimet për pasivizim dhe fshirje të shqiptarëve nga lista zgjedhore janë mohuar së fundi nga ministri Aleksandar Martinoviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *