BANORËT E BRATOSELLCËS LUSIN PËR NDIHMË: TË HARRUAR NGA ZOTI EDHE POLITIKANËT

Shkruan: I Jovanoviq
Bujanoc, 14. dhjetor 2023. Banorët e fshatit Bratosellcë të komunës së Bujanocit ende jetojnë pa ujë dhe rrugë të asfaltuar. Në dimër nuk shkojnë dot te mjeku dhe ndihma e urgjencës, siç thonë ata, nuk u vjen. “Nuk i kemi kushtet elementare për jetë, politikanët dhe Zoti na kanë harruar”, thotë për Bujanovaçke, Marijan Trajkoviq nga ky fshat.
Familja Trajkoviq ka gjashtë anëtarë dhe së shpejti do të ketë edhe një të shtatë.
-Kunata është shtatzënë, nuk e çojmë dot as te doktori, e bën një injeksion çdo dy tre ditë. Ambulanca është thirrur vetëm një herë dhe nuk kanë dashur të vijnë më, pikërisht për shkak të rrugës në fshat, e cila është e mbushur me gropa – shpjegon Trajkoviq.
Në Bratosellcë janë pesë familje ndërsa rruga që duhet të asfaltohet në fshat, që këto familje të kenë të paktën kushtet më elementare për jetë në shekullin XXI, është vetëm 2 kilometra.
-I jemi drejtuar kryetarit të komunës Nagip Arifit, drejtorit të Trupit Koordinues Nenad Mitroviq, madje edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por më kot. Asnjëri prej tyre nuk ka ardhur për të parë kushtet në të cilat jetojmë dhe as nuk na kanë premtuar asgjë – thotë Trajkoviq.
Herën e fundit, sipas tij, kur dikush ka bërë diçka për fshatin ka qenë gjashtë vjet më parë kur Stojança Arsiq e ka mbushur pak rrugën, por rruga tashmë është shpërlarë nga të reshurat.
-Të gjithë fshatrat kanë rrugë, por ne nuk kemi asgjë. Kemi tridhjetë vjet që nuk kemi ujë, qëkur është tharë baaseni i kishës. Ne nuk kemi banjë, lajmë rrobat me dorë, thjesht jetojmë shumë në kushte tepër të rënda. Nuk kemi as ndriçim rrugor. Kemi kërkuar nga kryetari i BL Bilaç që të vendosë së paku pesë llamba, por as këtë nuk e kemi marrë – thotë Trajkoviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *