NGA VETERANËT E UÇPMB-ës, THIRRJE SHQIPTARËVE PËR BOJKOTIM TË ZGJEDHJEVE

Bujanoc, 14. dhjetor 2023. Organizata e veteranëve të ish – Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (UÇPMB) u bëri thirrje shqiptarëve në jug të Serbisë që të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.
Siç thonë ata, zgjedhjet parlamentare asnjëherë nuk i kanë sjellë zgjidhje çështjes së të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve në këto zona, ndaj shtrohet pyetja se me çfarë të drejte morale, politike dhe kombëtare bëjnë thirrje drejtuesit lokal shqiptarë për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
“Këto zgjedhje janë përdorur gjithmonë nga Beogradi si një fasadë para faktorit ndërkombëtar dhe botës demokratike për të fshehur sundimin autoritar të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, thuhet në njoftim.
Në zgjedhje do të marrin pjesë koalicioni i udhëhequr nga Shaip Kamberi dhe lista Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit nga Presheva.
Organizata tha se zgjedhjet janë keqpërdorur gjithmonë nga individë dhe parti dhe se përveç fjalimeve të zjarrta patetike patriotike për çështje të rëndësishme, statusi i shqiptarëve nuk ka ndryshuar për mirë as për një milimetër.
“Autoritetet në Beograd vlerësuan politikanët shqiptarë për gatishmërinë dhe guximin e tyre politik për të marrë pjesë në punën e Kuvendit të Serbisë dhe si shpërblim për këtë, pakica shqiptare u diskriminua me gjuhën e urrejtjes, ndalimin e përdorimit të simboleve kombëtare, pasivizimi i adresave të vendbanimit dhe militarizim të rajonit”, thonë ata.
Kritika është drejtuar edhe ndaj qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti.
Siç thonë ata, liderët politikë nga kjo zonë po disiplinohen nga Kurti me mbështetje financiare për t’u integruar, në vend që të mbështesin platformat politike që synojnë bashkimin me Kosovën.
“Serbia nuk po ndryshon, por politikanët tanë po ndryshojnë për interesa të ulëta dhe në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve nga Kosova Lindore, prandaj ne bëjmë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit”, përfundon njoftimi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *