Bujanoc, 16. janar 2024. – Rrethinat e Qendrës për rehabilitim në Banjën e Bujanocit po kthehen në një deponi të egër. Drejtori i kësaj Qendre, Goran Nedelkoviq, thotë se institucioni nuk ka asnjë lidhje me të dhe se NP “Komunalia” është përgjegjëse për pastrimin e mbeturinave. Mirëpo nga kjo kompani thonë se pastrojnë rregullisht, por se nuk kanë informacion për ekzistimin e një deponie të tillë në Banjë.
Një banor i Banjës së Bujanocit ka kontaktuar me portalin tonë përmes aplikacionit Njofto Bujanovaçken i indinjuar nga deponia e egër përgjatë rrugës afër Banjës, e cila, thotë ai, është irituese për të gjithë njerëzit që jetojnë atje, si dhe për turistët që vijnë në Banjë.
Drejtori i Qendrës, Goran Nedelkoviq, ka thënë për portalin tonë se punëtorët e saj nuk kanë lidhje me këtë dhe se për pastrimin e mbeturinave është përgjegjëse NP “Komunalia”.
Nga “Komunalia” nuk kemi marrë përgjigje të sakta nëse dhe kur do të largohen mbeturinat përgjatë rrugës, pasi drejtori teknik i kësaj kompanie Semi Aliji na tha se punëtorët e tyre pastrojnë rregullisht, por se nuk ka informacion për deponinë në Banjë të Bujanocit.
Ai na drejtoi te shefi i pastrimit, Luba Kërstiq, por nuk arritëm të kontaktojmë me të.
Videoja e deponisë që kemi publikuar në profilin tonë në Facebook ka shkaktuar shumë komente negative. Lexuesit tanë sugjerojnë që autoritetet të vendosin kamera për të përcaktuar se kush hedh mbeturinat dhe pyesin se ku është inspeksioni dhe nëse po bëjnë ndonjë gjë.
-Banorët e Sërpska Kuqës, Karadnikut dhe Banjës së Bujanocit duhet të kenë turp nga vetja, të cilët hedhin mbeturina në hyrje të banjës. E kanë të vështirë t’i hedhin mbeturina në kontejner dhe nëse do të shkojnë në Bujanoc, e kanë më të lehtë t’i hedhin në një kanal anës rrugës, pa asnjë grimë ndërgjegje e turpi! Unë jam budalla për ta sepse mbeturinat i çoj në kontejner në Bujanoc – ka shkruar mësuesi Sllagjan Petroviq Gjusa.
Previous PostSHTESA PRINDËRORE PËR FËMIUN E PARË 371.000 DINARË, PËR TË DYTIN GATI SE 2 MILIONË DINARË
Next PostKAMBERI: IDEJA MBI SHËRBIMIN E OBLIGUAR USHTARAK ËSHTË NJË TRUK MARKETINGU I VUÇIQIT