EU I KËRKON BEOGRADIT TA LEJOJË VIZITËN E SVEÇLËS NË JUG TË SERBISË

Bujanoc, Prishtinë, 18. janar 2024. – Bashkimi Evropian ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit që të mundësojnë vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi, raporton RTK.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim ka theksuar se vizita e ministrit kosovar në Serbi është paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen për vizita zyrtare.
“Prandaj Serbia duhet të lejojë që kjo vizitë të ndodhë”, tha Stano.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë refuzuar kërkesën e tij për të vizituar Luginën e Preshevës.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia tashmë kanë një marrëveshje për vizitat zyrtare.
Në këtë drejtim, zëdhënësi i BE-së Peter Stano u bëri thirrje palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha marrëveshjet nga dialogu, përfshirë marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes.
“Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog. BE-ja është ende e gatshme të lehtësojë diskutimet për të gjetur një zgjidhje”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *