Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 7. shkurt 2024. – Qeveria e Serbisë në fillim të këtij muaji ka miratuar një tjetër konkluzion me të cilin miraton punësimin e përhershëm të të gjithë punëtorëve shëndetësorë dhe ndihmës që kanë qenë të angazhuar gjatë pandemisë Covid, ndërkaq kësaj radhe saktësohet se punësimi i punëtorëve nuk kushtëzohet me planet e personelit të enteve shëndetësore. Ka qenë plani i personelit që i ka shërbyer si argument drejtorit të Shtëpisë së Shëndetësisë në Preshevë, doktor Boban Spasiq, që të mos veprojë me vendimin e mëparshëm të Qeverisë, thotë deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi.
“Shtëpia e shëndetit në Preshevë dhe drejtori i saj nuk e respektuan konkluzionin e parë të Qeverisë me pretekstin se plani i personelit të këtij institucioni nuk parashikonte vende të lira dhe iu mohua e drejta për punësim. Kështu drejtori ua ka mohuar të drejtën e punës rreth 40 të rinjve nga Presheva”, thotë Kamberi.
Ai të martën publikisht i bëri thirrje drejtorit të Shtëpisë së shëndetit në Preshevë që ta zbatojë konkluzionin e Qeverisë dhe të mundësojë marrëdhënie të përhershme të punës për të gjithë të angazhuarit gjatë pandemisë COVID-19.
“Përndryshe, inkurajoj të gjithë ata që kanë qenë të punësuar në atë kohë të bëjnë padi për mohimin e kësaj të drejte dhe të marrin të drejtën e punësimit përmes gjykatave. Në këtë rast ofroj edhe ndihmën time personale edhe ndihmën e ekipit tim”, thotë Kamberi.
Ai shtoi se me rastin e punësimit në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, është diskriminim i hapur që nuk guxon të tolerohet.