ARIFI E PRANON SE KA PASË PUNËSIME PARTIAKE: IA KEMI PUNËSUAR BASHKËSHORTEN

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 12. shkurt 2024. Kryetari i Komunës së Bujanocit dhe lideri i Partisë Demokratike (PD) Nagip Arifi sot praktikisht e ka pranuar dhe pohuar nga foltorja e Kuvendit se vërtet ka punësime partiake. Duke folur për ish-anëtarin e partisë së tij dhe këshilltarin Rahim Rahimi, Arifi tha: E ka punësuar gruan, ka dashur ta ndihmojë dhëndrin, ia kemi plotësuar të gjitha kërkesat, e as buxhetin nuk e ka votuar.
Me këtë që tha në seancën e Kuvendit, Arifi e konfirmoi shkrimin e Bujanovaçkes për konkursin e manipuluar për punësim në Administratën komunale në fillim të vitit 2022, kur sipas njohurive tona, vendet e punës për kohë të pacaktuar ishin rezervuar për bashkëshorten e këshilltarit Rahimi, por edhe për vëllain e kryetarit të komunës.
Ai i ka kërkuar Rahimit, të larguar së fundmi nga Partia Demokratike, që të japë dorëheqjen nga posti i këshilltarit, gjë që nuk e ka bërë ende, edhe pse e ka paralajmëruar.
– Sot këtu nuk janë të pranishëm dy këshilltarë që kanë njoftuar në Facebook se po kalojnë në parti të tjera. Rahimi tha se do ta kthejë mandatin, por nuk e bëri. Le të japin dorëheqje nëse tashmë kanë kaluar në parti të tjera – tha Arifi pas votimit për ta shpallur kryetarin e Tiranës qytetar nderi të Bujanocit.
Atij i replikoi edhe Arbër Pajaziti, kreu i degës bujanocase të partisë opozitare Alternativa për Ndryshim, anëtar i së cilës së fundmi u bë edhe Rahimi.
– Nuk është e drejtë që këtu të përmenden bashkëshorte e dhëndër. Rahimi ka treguar arsyet e largimit nga Partia Demokratike. Dhe nuk njoh asnjë kryetar komune që ka punësuar më shumë njerëz të tij se ju – tha Pajaziti.
Më pas u bë e ditur se edhe Bujar Sejdiu, i partisë së Arifit, po kalon në Alternativë, por ai do të ruajë mandatin e këshilltarit dhe do të jetë pjesë e grupit të këshilltarit të sapoformuar të kësaj partie opozitare.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *