LIDERËT SHQIPTARË MBËSHTESIN IDENË PËR UNITET ZGJEDHOR

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 21. shkurt 2024. – Përfaqësuesit e partive shqiptare në Bujanoc kanë përkrahur iniciativën për koalicion parazgjedhor apo paszgjedhor të shumicës shqiptare, njoftoi Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) pas mbledhjes së mbajtur të martën. Politikanët shqiptarë e negociuan këtë vetëm një ditë pas takimit të serbëve ku u ra dakord për një listë të unifikuar serbe.
Unitetin e shqiptarëve e ka kërkuar kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, në përgjigje të përpjekjeve të serbëve për t’u renditur në një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme lokale në Bujanoc.
Thirrjes së kryetarit të KKSH-së iu përgjigjën kryetari i PD-së dhe kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, kryetari i Degës së Partisë për Veprim Demokratik të Bujanocit, Ragmi Mustafi dhe kreu i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu. Që nga viti 2020, këto parti përbëjnë shumicën qeverisëse “gjithëshqiptare” në Bujanoc.
Në takim ka marrë pjesë edhe Arbër Pajaziti, kryetar i Degës së Alternativës për Ndryshim opozitar dhe kritik i ashpër i pushtetit aktual.
– Palët u deklaruan pro arritjes së një marrëveshjeje parazgjedhore ose paszgjedhore për mandatin e ri të mazhorancës shqiptare dhe shprehën vullnetin për të diskutuar parimet dhe kriteret në mbledhjet e ardhshme – thonë nga KKSH.
Shtohet se Lutfiu në takim ka theksuar se iniciativa e KKSH-së nuk ka për qëllim injorimin apo përjashtimin e ndonjë komuniteti tjetër, “por të respektojmë veten si komuniteti më i madh në komunën e Bujanocit”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *