Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 20. shkurt 2024. (Foto: Jovanoviq, Milenkoviq, Millkoviq) – Kryetari i organizatës serbe Sabornost (SOS) në Bujanoc, Oliver Milenkoviq, pretendon se ai dhe një anëtar tjetër i organizatës, Milan Jovanoviq, janë sulmuar të hënën në mbrëmje nga drejtori i Stacionit Veterinar të Bujanocit dhe politikani Miodrag Millkoviq. Sulmi verbal, me mundësi eskalimi në sulm fizik, ka ndodhur, thotë Milenkoviq, pas një takimi të politikanëve serbë dhe negociatave për një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme lokale në Bujanoc. Milkoviq i mohon këto akuza dhe thotë se nuk ka pasur asnjë sulm.
“Nuk prisnim ndonjë lloj poshtërimi, madje as provokimi, sidomos nga Miodrag Milkoviq, i cili pasi mbaroi takimi dhe në dalje nga salla, u kthye kundër meje dhe Milanit me tone të ngritura në sallë, na ofendoi dhe na akuzoi pa asnjë shkak dhe arsye, saqë në një moment m’u afrua aq shumë dhe m’u fut në fytyrë duke më bërë të reagoja, gjë që sigurisht nuk e prisja. Në atë moment të pranishmit janë afruar, e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë nxjerrë nga Shtëpia e Kulturës”, thotë Milenkoviq në një deklaratë me shkrim për portalin tonë.
Ai ka shtuar se nuk ka dashur ta shqetësojë opinionin dhe për këtë arsye nuk do të deklarojë se çfarë fjalë dhe veprime ka përdorur Milkoviq, por, siç thotë ai, sjellja e tij ka qenë jashtëzakonisht e paturpshme, e pamatur dhe e pa cipë.
Milkoviq i hedh poshtë këto akuza dhe thotë për Bujanovaçke se në fillim të takimit vetëm ka pyetur se cilën organizatë përfaqësojnë Milenkoviq dhe Jovanoviq – Sabornost-in apo ndonjë tjetër.
– Nuk kam marrë asnjë përgjigje për këtë pyetje. Më pas ata thanë se për momentin nuk duan të komentojnë listën e përbashkët. Kur mbaroi takimi filloi një bisedë në korridor dhe më pyetën “pse po them që ata punojnë për komunitetin shqiptar”. Unë sapo u përgjigja se është në interes të komunitetit serb që të gjithë të shkojmë në një listë të përbashkët dhe se çdo gjë që nuk është listë e përbashkët është në interes të komunitetit shqiptar. Kjo ishte e gjitha, dhe më pas Milenkoviq tha se po e kërcënoja, gjë që nuk ka lidhje me të vërtetën. Prandaj, nuk ka pasur sulme, as nga ana ime e as nga ana e tij – pohon Milkoviq.
Përndryshe, ai është edhe kryetar i këshillit local të Partisë së bashkuar fshatare në Bujanoc, partner koalicioni i Partisë Përparimtare Serbe dhe këshilltar në Kuvendin lokal. Në anën tjetër, Milenkoviqi në disa raste ka kritikuar publikisht përparimtarët e Bujanocit.
Me rastin e takimit, pas të cilit kreu i progresistëve të Bujanocit, Nenad Mitroviq, tha se të gjithë pjesëmarrësit e kanë përkrahur iniciativën për paraqitje të unifikuar të serbëve në zgjedhje, Oliver Milenkoviq deklaroi se nuk mund të thotë asgjë konkrete dhe se do të t’i përcjellë përshtypjet nga takimi te ekipi organizativ, i cili do të shqyrtojë veprime të mëtejshme.
Në deklaratën e tij ai thekson se Milan Jovanoviq dhe ai nuk kanë marrë pjesë në takim në emër të organizatës Sabornost.
“Ne i jemi përgjigjur atij takimi të paraparë në emër të një grupi të ri të qytetarëve të cilët janë të interesuar për zgjedhjet lokale në komunën e Bujanocit, kështu që KD “SOS” nuk ka asnjë pikë kontakti me këtë takim, i cili është mbajtur në lidhje me listën”, tha Milenkoviq.
Siç thotë ai, grupi i sapoformuar i qytetarëve ka punuar që nga shtatori i vitit 2023 dhe në mbledhjen e ekipit organizativ më 17 shkurt ka vendosur që përfaqësuesit e tij të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur publikisht nga Mitroviqi dhe Stojança Arsiq.
NË TAKIMIN E PARTIVE SERBE, KONFLIKT VERBAL MES MILENKOVIQIT DHE MILLKOVIQIT
Bujanovačke21. Feb 2024.FILLIMI, POLITIKË0
Previous PostKRYQI I KUQ NË BUJANOC FILLON ME SHPËRNDARJEN E PAKOVE TË NDIHMËS PËR MË TË RREZIKUARIT
Next PostKAMBERI DHE AMBASADORI I SHQIPËRISË: SHQIPTARËT NË SERBI VIKTIMË E PADREJTËSISË
Related articles
BUJANOCASIT PRESIN VITIN E RI NË SHTËPI, ANKETA ME NXËNËSIT E SHKOLLAVE TË MESME
Bujanovačke26. Dec 2024.