Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9. mars 2024. – Opozita serbe në Bujanoc – Lëvizja Popullore e Serbisë (NPS), DSS e Re, POKS dhe Ne – zëri i popullit, në zgjedhjet e ardhshme lokale në komunën e Bujanocit, do të qëndrojnë të bashkuar me një listë zgjedhore, u dakorduan të premten në mbrëmje në një takim të thirrur nga Sasha Arsiq, kreu i bordit lokal të NPS-së. Pas takimit të mbrëmshëm, është e qartë se nuk do të ketë një listë të vetme serbe dhe se serbët do të shkojnë në këto zgjedhje të paktën në dy kolona – kjo opozitare dhe ajo e mbledhur rreth Partisë Progresive Serbe dhe SPS-së të Stojança Arsiqit.
Blloku i ri opozitar thotë se është në interes të qytetarëve që në zgjedhje të jenë dy opsione serbe, pra që opozita të ketë listën e saj.
Pas takimit, Arsiq tha se këto parti tani e tutje do të veprojnë si një bllok dhe se do të bisedojnë edhe me grupe të tjera politike që tregojnë interes për t’iu bashkuar atyre.
– Nuk do të ketë bisedime me SNS, SPS dhe të gjithë të tjerët që janë në koalicion me ta, ky është qëndrim i përbashkët i të gjithë neve. Për grupet e tjera politike në komunë, të cilat nuk pajtohen me atë që po bëjnë SNS dhe SPS, dera është e hapur për t’iu bashkuar këtij blloku tonë opozitar – theksoi Arsiq për Bujanovaçken.
Sa I përket qëndrimit për SNS-në dhe SPS-në ishte i vendosur edhe shefi i DSS-së së re në Bujanoc, Sllavoljub Ristiq.
– Nuk ka asgjë për të folur me ta, ndërkaq në këtë grup politikë bënë pjesë edhe Zavetnici. Mund të flasim me të gjithë të tjerët. Synimi ynë është që korpusi serb të performoj në dy lista – tha Ristiq.
Në pyetjen tonë, cili është qëndrimi i Oliver Milenkoviqit, Dr. Dejan Stojanoviqit, Milan Jovanoviq Keçes dhe të tjerëve lidhur me organizatën Sabornost, Arsiq dhe Ristiq thonë se mund të bisedojnë me ta dhe se janë të gatshëm ta bëjnë këtë.
“Unë pres që njerëzit që janë në atë organizatë ta përcaktojnë statusin e tyre, nëse vërtet duan të angazhohen në politikë, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të formojnë një organizatë politike, sigurisht që jemi të gatshëm të diskutojmë bashkëpunimin me ta”, tha Arsiq.
Meqë ra fjala, Milenkoviqi me bashkëpunëtorët e tij ka marrë pjesë në mbledhjet e thirrura nga kreu i progresistëve Nenad Mitroviq dhe Stojança Arsiq. Ata njoftuan gjithashtu se në zgjedhje nuk do të shkojnë si Sabornost, por si grup i ri i qytetarëve. Nuk dihet ende se cilën palë do të mbështesin apo nëse ky grup do të jetë opsioni i tretë serb në zgjedhje.
Predrag Trajkoviq, kryetar i bordit të POKS-it të sapoformuar në Bujanoc, tha se ata dhe kolegët e tyre nga opozita janë pajtuar për qëndrimet dhe janë të bashkuar për të gjitha çështjet.
Pjesëmarrës në takimin në emër të “Ne – zëri i popullit” ishte Goran Kostiq Mekica nga Llopardinca.
– Kam hyrë në politikë për të mposhtur SNS-në dhe SPS-në dhe për mua do të jetë fitore nëse fitojmë të paktën një vend këshilltari më shumë se ata – tha Kostiq.
Zgjedhjet lokale në komunën e Bujanocit, siç spekulohet, do të mbahen në qershor.