MUSTAFI DHE SINANI KANDIDATËT E PVD-së PËR KRYETAR TË BUJANOCIT DHE PRESHEVËS

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 1. maj 2024. Kandidati i partisë më të madhe shqiptare në jug të Serbisë, Partisë për Veprim Demokratik (PVD), për kryetar të komunës së Bujanocit do të jetë Ragmi Mustafi, ka konfirmuar paraditen e së mërkurës kryetari i kësaj partie, Shaip Kamberi. Ardita Sinani, kryetare e Degës së PVD-së në Preshevë, kandidon për kryetare në këtë komunë.
Mustafi së fundi ka qenë kryetar i degës stë partisë së Kamberit në Bujanoc, ndërsa deri në vitin 2022 ka qenë kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH). Para kësaj ka qenë kryetar i grupit të këshilltarëve të PVD-së në Kuvendin e Bujanocit.
Aktualisht është këshilltar i nënkryetarit të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi.
– Mustafi është një personalitet i njohur në komunën e Bujanocit për avokimin e tij afatgjatë dhe të palodhshëm për zhvillimin dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve të kësaj komune. Emërimet janë reflektim i përkushtimit të PVD-së për të siguruar liderë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar që do të përfaqësojnë dhe përmbushin synimet dhe aspiratat e qytetarëve në nivelet e qeverisjes lokale – tha Kamberi lidhur me vendimin e partisë.
Jozyrtarisht, konkurrenti kryesor i Mustafit ishte zyrtari tjetër i PVD-së, Enver Ramadani, kryetar aktual i Kuvendit të Bujanocit.
Ardita Sinani është e angazhuar edhe në qeverinë e Kosovës si këshilltare e kryeministrit Albin Kurti.
Ajo tashmë e ka udhëhequr Preshevën për dy mandate.
Nagip Arifi dhe Arbër Pajaziti tashmë kanë paraqitur kandidaturat në Bujanoc, ndërsa Visar Memeti në Preshevë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *