BISLIMI: PËR NE NË KOSOVË TEMA E DINARIT ËSHTË ÇËSHTJE E MBYLLUR

Bujanoc, 16. maj 2024. Takimi i kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës, i realizuar të mërkurën në Bruksel, për çështjen e dinarit, ka përfunduar pa marrëveshje. Përfaqësuesi i Prishtinës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të ketë më takime në kuadër të dialogut lidhur me këtë temë.

– Takimi dështoi sepse nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për të diskutuar propozimin e (Miroslav) Lajçak [i dërguari evropian për dialog]. Qëndrimi i tyre sot është një kthim prapa në krahasim me tri takimet e mëparshme”, tha negociatori i Prishtinës Besnik Bislimi në fund të raundit që zgjati më shumë se tetë orë, raporton REL.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, përgjegjësinë për dështimin e bisedimeve për dinarin ia barti palës kosovare.

– Edhe pse pala jonë ishte sërish konstruktive, megjithëse dolëm me propozime të reja, treguam se duam një marrëveshje. Ne dolëm me gjashtë propozime të reja – tha Petkoviq.

Në takim, Kosova dhe Serbia është dashur të bien dakord për propozimin kompromis të të dërguarit evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Petkoviq tha se Beogradi nuk e mbylli derën për bisedime të mëtejshme, sepse Serbia, siç theksoi ai, dëshiron zgjidhje sepse pa zgjidhje “po vështirësohet jeta për serbët në Kosovë ”.

Ky ishte takimi i shtatë për dinarin i cili përfundoi pa një dakordim të Prishtinës dhe Beogradit për një zgjidhje të përkohshme për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, nga 1 shkurti i këtij viti, valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë është euro.

Bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga Kosova që të shtyjë zbatimin e dekretit dhe të gjejë një zgjidhje kalimtare afatshkurtër, pasi që dekreti ka ndikim në popullatën vendase në veri të Kosovës, të cilët për vite me radhë kanë marrë pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë fqinje.

Në fund të marsit, Lajçak paraqiti një propozim kompromisi evropian, për të cilin palët duhej të deklaroheshin të mërkurën. Detajet e këtij propozimi nuk dihen.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në përgjigjen e tij për Radion Evropa e Lirë më 29 prill tha se palët në takimet e mëparshme i kanë paraqitur qëndrimet dhe propozimet e tyre dhe se BE-ja në fund ka propozuar një “zgjidhje kompromisi” dhe i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbia ta pranojë.
Zyrtarët e BE këmbëngulin se për të gjetur një zgjidhje është i nevojshëm vullneti i palëve për kompromis.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *