KOSOVA BËHET ANËTAR I ASOCIUAR I ASAMBLESË SË NATO-s

Bujanoc, 27. maj 2024. Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi të hënën rekomandimin për ngritjen e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.
Në seancën e Asamblesë të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, shumica e vendeve votuan “për”, një votë “kundër”, dhe 14 vende të tjera abstenuan, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Para disa ditësh, delegacioni i Kuvendit të Serbisë me një letër ka kërkuar që të mos avansohet statusi i Kosovës.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga Aleanca, por shërben si një lidhje e rëndësishme midis asaj aleance ushtarake dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Asambleja përbëhet nga 281 delegatë të 32 vendeve anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitetet e saj marrin pjesë edhe delegatë nga nëntë vende të asociuara, katër vende të asociuara mesdhetare, si dhe tetë delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asociuar mund të prezantojnë rezoluta dhe të paraqesin ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, ata mund të shërbejnë si raportues specialë të bashkuar në komisione, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raporte, rezoluta apo udhëheqje të Asamblesë Parlamentare dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht janë nëntë anëtarë të asociuar, mes tyre Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës prej vitesh është delegacion vëzhgues me dy ulëse në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Me përmirësimin e statusit do të shtohej edhe delegacioni i Kosovës.
Në takimin në Sofje, pjesëmarrësit do të priten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Aleancës dhe të vendit nikoqir – Bullgarisë.
Do të diskutohen tema që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë euroatlantike, me fokus mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të NATO-s të këtij viti, i cili do të mbahet në korrik në Uashington.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *